4,680 doza të vaksinës Pfizer kundër virusit Covid-19 kanë arritur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Me këtë kontingjent do të vaksinohen stafi shëndetësorë që nuk ka arritur të vaksinohen gjatë fushatës së imunizimit, më pas personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.
Ka qenë Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e cila dy ditë më parë ka njoftuar se në Kosovë do të vijnë pesë mijë doza të vaksinës Pfizer.
Në prill, Bashkimi Evropian njoftoi se do të shpërndajë 651,000 doza të vaksinave kundër koronavirusit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga kjo sasi, Kosova do të përfitojë 95,000 doza, të cilat sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të vijnë “javë pas jave”.
Kosova nisi fushatën e vaksinimit kundër Covid-19 më 29 mars, me 24,000 dozat e vaksinës së AstraZenecas, që i mori falas nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga Covax-i, Kosova në total, pritet të marrë 100,800 doza.