Nga Bashkimi Evropian vlerësojnë se rezultati i votimit të së dielës në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për Reporteri.net ka thënë se rezultati i këtij votimi nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që potencohet se është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve.
Kësisoj, masat ndaj Kosovës mbeten në fuqi, por paralajmërohet se Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së.
“BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues.
Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, thuhet në përgjigjen e Stanos.
Stano se Kosova ka mundësuar organizimin e votimit duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja, por shton se vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veri që të tërhiqen nga procesi dhe të bëjnë thirrje për bojkotim, ka çuar në një seri të vështirësive.
Këtu përmendet edhe vendimi i i drejtorëve të shkollave me planprogram serb në veri të Kosovës për të mos lejuar përdorimin e shkollave si vendvotime, duke krijuar sfida serioze për KQZ-në.
“Më 12 dhjetor 2023, Këshilli bëri thirrje që zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës të mbahen sa më shpejt dhe serbët e Kosovës të marrin pjesë aktive, pa asnjë parakusht.
Kosova ka mundësuar hapjen e rrugës për zgjedhje të reja lokale përmes votimit për kthimin e kryetarëve të komunave. Ndërkohë që organizimi i votimit të tërheqjes nuk ishte i lirë nga sfidat (duke përfshirë risitë si instalimi i kamerave të sigurisë), megjithatë procesi lejoi organizimin e votimit të tërheqjes.
Vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veri për t’u tërhequr nga procesi dhe për të bërë thirrje për bojkot rezultoi në një sërë vështirësish, duke përfshirë krijimin e disa komisioneve të qendrave të votimit pa asnjë anëtar serb të Kosovës.
Po ashtu, vendimi i drejtorëve të shkollave me planprogram serb në veri të Kosovës për të mos lejuar përdorimin e shkollave si vendvotime, disa ditë para ditës së votimit, ka krijuar sfida serioze për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo gjithashtu pengoi qasjen e qytetarëve në informacione të sakta për vendndodhjet e reja të vendvotimeve”, ka thënë Stano.
Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët.
Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas dështimit të referendumit, tha se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktualë dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj, por qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.
“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, shkroi Presidentja Osmani.
Presidentja tha se “me organizimin e procesit të votimit të së dielës, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe masat kundër Kosovës të hiqen menjëherë”.
Edhe Qeveria e Kosovës ka dalë përmes një komunikata ka thënë se është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen.
“Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”, thuhet në komunikatë.
Tutje në komunikatë thuhet se qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore.
“Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”, u tha në komunikatë.