Gara e fundit e vitit 2025 në Grand Slam Abu Dhabi për xhudon elitar shënoi përfundimin e sezonit për sportistët kosovarë, të cilët përfaqësuan vendin me rezultate mbresëlënëse.
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, përmes një publikimi në rrjetet sociale, bëri një përmbledhje të arritjeve dhe perspektivave për vitin e ardhshëm.
Distria Krasniqi vazhdoi dominimin e saj këtë vit, duke fituar medalje në çdo garë ku mori pjesë. Kulmin e arriti në Evropian, ku u shpall kampione e artë, si dhe në Kampionatin Botëror ku u rendit si Nënkampione Botërore. Këto arritje e vendosën Distrian në krye të Ranglistës Botërore për vitin 2025, duke konfirmuar pozicionin e saj si një nga xhudistet më të forta në botë.

Edhe Laura Fazliu tregoi forcën dhe karakterin e saj. Pas një viti sfidues për shkak të lëndimeve, ajo arriti të fitonte medalje në Botëror dhe përfundoi e 5-ta në Grand Slam Abu Dhabi, duke dhënë sinjale se rikuperimi i saj është i plotë dhe se mund të kthehet në formën e saj më të mirë në vitin 2026.
Shpat Zeka gjithashtu po rikthehet në garat e mëdha dhe, sipas trajnerit Kuka, ka mundësi të udhëtojë drejt normës Olimpike, së bashku me Akil Gjakovën dhe ndoshta edhe Dardan Shabanin. Ky rikthim i sportistëve të rinj është një sinjal pozitiv për Kombëtaren dhe tregon fuqinë e brezit të ri kosovar në xhudo.
Viti 2025 shënoi gjithashtu shfaqjen e emrave të rinj që po spikasin me medalje dhe rezultate të shkëlqyera. Kadetët Joni dhe Arbes treguan potencial të madh duke fituar medalje që nga garat e tyre të para në Kupat Evropiane, duke premtuar një vazhdimësi të suksesshme të sportit.

Trajneri Kuka theksoi se përgatitjet për vitin e ardhshëm janë tashmë në zhvillim. Vajzat e Kombëtares po stërviten në Slloveni, ndërsa meshkujt do të nisen për në Gjeorgji pas disa ditësh, duke synuar të ruajnë ritmin e sukseseve dhe të arrijnë rezultate të reja në garat ndërkombëtare.
