“Kosova me sanksione nga BE e raporte jo të mira me ShBA-të fal qeverisjes së Kurtit”

“Kosova me sanksione nga BE e raporte jo të mira me ShBA-të fal qeverisjes së Kurtit”

Tre vjet më parë qytetarët ia besuan Kosovën, Albin Kurtit, duke e votuar si kryeministër për herë të parë, shkruan Gazeta Enigma.

Këto vite qeverisje Kurti i karakterizon me përplot sfida, por edhe shumë të arritura.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe e arritura kryesore është se Kosova është ngritur në ekonomi me rritje prej 6.2% të bruto-produktit vendor, dhe kjo rritje është shpërndarë përmes pakove të ndryshme.

Kurti ka përmendur ballafaqimin me pandeminë, inflacionin, krizën energjetike e deri tek subvencionimet ndryshme të dhëna, siç ka thënë ai gjithandej.

Kryeministri ka thënë se sfidat kryesore dhe që i kanë marr shumë kohë kanë qenë një duzinë ligjesh të reformave substanciale, sociale, ekonomike dhe të drejtësisë në Kosovë, e siç shtoi ai ato kanë ngelur të bllokuara në Gjykatën Kushtetuese dhe se një pjesë e tyre janë deformuar ose anuluar.

Gjithashtu, i pari i vendit  u shpreh i kënaqur në atë se çka ka arritur si qeveri së bashku me ekipin e tij të ministrave, grupin parlamentar, me institucionet dhe agjencitë shtetërore të cilat, siç ka thënë ai kanë pasur bashkëpunim të mirë me qeverinë në këtë progres socio-ekonomik dhe demokratik. Sipas tij, në këto tri vite qeverisje është ngritur imazhi i Kosovës në botë.

Por, këto vite të qeverisjes së Kurtit nuk vlerësohen aspak mirë nga opozita

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në trevjetorin e emërimit të saj, e ka akuzuar për mashtrim e degradim Qeverinë Kurti.

“Tri vjet degradim – korrupsion – nepotizëm. Tri vjet keqqeverisje – izolim – frikë. Tri vjet mashtrim!”, ka shkruar Krasniqi.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se në trevjetorin e Qeverisë Kurti, Kosova ka pësuar dëme e kthim në pikën më të errët.

“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë”, ka thënë Tahiri.

“Mirëpo unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe. Ajo çka karakterizohet këto tri vite është me të vërtetë një qeverisje që nuk i qëndron asnjë vendimi mbrapa dhe siç e patë edhe vetë, kryeministri u dorëzua në mandatin e tij të tretë dhe duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh ai.

Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku Sadriu, tha se në vitin e fundit të mandatit të Qeverisë Kurti, askush nuk mund të pretendojë se arsimi ishte prioritet i një qeverie që dikur i etiketoi qytetarët si “analfabetë të fshehtë”.

“Zhvillimi i vërtetë arsimor kërkon më shumë se fjalë të bukura; kërkon përkushtim të vërtetë, përditë dhe transparent”, shkroi ajo.

“Kosova gjendet e sanksionuar nga BE, me raporte jo të mira me ShBA-të, fal kësaj Qeverie”, thekson njohësi i politikës për tre vite qeverisje të Kurtit.

Politologu Fidan Ukaj, e cilëson këtë qeverisje të Kurtit me veprime “të pamatura”.

“Ka qenë një Qeveri e qeverisje populliste, me veprime shpesh herë të pa matura, me dështime në fusha të ndryshme në ekonomi, në shëndetësi, në punësim, mos njohje të reja, e mos anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kosova sot gjendet e sanksionuar nga BE, e me raporte të lënduara nga ShBA-të, fal keqmenaxhimit me shtetin, të kësaj Qeverie dhe kësaj qeverisje”, përfundoi Ukaj për Enigmën./GAZETAENIGMA/

Related Articles