Kosova miraton vendimin për strehimin e përkohshëm të 50 emigrantëve nga ShBA-ja

Kosova miraton vendimin për strehimin e përkohshëm të 50 emigrantëve nga ShBA-ja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të 262-të, ka miratuar vendimin për pranimin dhe strehimin e përkohshëm të deri në 50 shtetasve të vendeve të treta, në përgjigje të një kërkese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas vendimit, Kosova do të strehojë këta individë për një periudhë njëvjeçare, me qëllim lehtësimin e kthimit të tyre të sigurt në vendet e origjinës. Përzgjedhja e personave do të bëhet nga një listë e propozuar, bazuar në përmbushjen e kritereve të lidhura me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit në Kosovë, ata do të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas ligjeve të vendit.

Kryeministri Kurti theksoi partneritetin e ngushtë me SHBA-në, duke e cilësuar atë si aleat të palëkundur të Kosovës.

“Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara. Jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm, veçanërisht për mbështetjen në mbrojtje, zhvillim dhe në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik,” u shpreh ai.

Related Articles