Kosova ndaloi shfaqjen e flamurit serb për Vidovdan, ministri Rashiq thotë se kanë të drejtë të shprehin identitetin e tyre

Kosova ndaloi shfaqjen e flamurit serb për Vidovdan, ministri Rashiq thotë se kanë të drejtë të shprehin identitetin e tyre

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Nenad Rashiq, ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të komunitetit serb sa i përket përdorimit të simbolit të tyre.

Ai tha më 16 qershor se përdorimi i simboleve të tyre nga serbët “nuk përbën kërcënim ndaj identitetit të askujt, por është dëshmi e përkushtimit të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”.

Kjo deklaratë e Rashiqit erdhi pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të anuluar vendimin e Komunës së Graçanicës, e cila kishte lejuar shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se komuna ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor – ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.

“Lejimi i shfaqjes së flamurit të një shteti tjetër [në këtë rast Serbisë], përveç rasteve të parashikuara me ligj, mund të kuptohet si një akt simbolik i sovranitetit të dyfishtë ose i vetëorganizimit politik, gjë që bie ndesh me rendin kushtetues”, u tha në vendimin e gjykatës.

Gjykata gjithashtu theksoi se vendimi i Komunës së Graçanicës “rrezikon rëndë rendin dhe qetësinë publike si dhe bashkëjetesën në Kosovë”, veçanërisht në kontekstin e ndjeshmërisë etnike dhe politike.

Komuna e Graçanicës, e udhëhequr nga Ljiljana Shubariq nga radhët e Listës Serbe, ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin e Themelores.

Ndryshe, serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni tradicionalisht e shënojnë Vidovdanin më 28 qershor në Gazimestan – një monument historik rreth 10 kilometra nga Prishtina. Tubimi zakonisht sigurohet nga Policia e Kosovës, ndërsa gjatë viteve të fundit nuk është lejuar të futen flamuj të Serbisë apo simbole të tjera kombëtare, përveç atyre kishtare, pasi përkujtimi organizohet edhe nga Kisha Ortodokse Serbe në nderim të betejës së vitit 1389 kundër ushtrisë osmane.

Gjatë shënimit të Vidovdanit, shpesh ndodhin edhe arrestime, të cilat Prokuroria e Kosovës i cilëson si “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Gazimestani në Kosovë është i njohur edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, më 28 qershor 1989, në të cilin ai nuk e përjashtoi mundësinë e “betejave të armatosura”. Ky fjalim u konsiderua nga shumëkush si paralajmërim i luftërave që pasuan gjatë viteve ’90 në ish-Jugosllavi.

Ministri në detyrë, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente në Kosovë që të respektojnë në tërësi garancitë kushtetuese dhe ligjore “pa presion politik, diskriminim apo pengesa administrative”.

“Në interes të paqes dhe bashkëjetesës, presim një qasje konstruktive nga të gjithë akterët dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjit”, deklaroi Rashiq.

Në këtë kontekst, Rashiq rikujtoi se, sipas nenit 58 të Kushtetutës së Kosovës, të gjitha komunitetet dhe anëtarët e tyre kanë të drejtë të “shprehin lirshëm, të ruajnë dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre”, gjë që përfshin edhe të drejtën për të ruajtur gjuhën, fenë, traditat dhe simbolet e tyre.

Po ashtu, neni 59 i Kushtetutës u garanton të gjitha komuniteteve të drejtën për të përdorur dhe shfaqur simbolet e tyre kombëtare, për të ruajtur e zhvilluar kulturën e tyre dhe për të pasur qasje në arsim dhe informim në gjuhën e tyre amtare.

“Sistemi gjyqësor në Kosovë nuk ka të drejtë të ndalojë në thelb përdorimin e flamurit apo simboleve të tjera kombëtare të komunitetit serb, sepse kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që garantojnë këto të drejta”, deklaroi Rashiq, i cili është edhe kryetar i partisë Liria, Drejtësia dhe Mbijetesa, e cila fitoi një vend në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt.

Vendimi i Komunës së Graçanicës për lejimin e shfaqjes së flamurit të Serbisë me rastin e Vidovdanit përfundoi në gjykatë pas reagimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila i ishte drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij vendimi. MPB-ja konstatoi se 28 qershori nuk është përcaktuar si festë zyrtare apo ditë përkujtimore dhe kërkoi rishqyrtim të vendimit, gjë që Komuna e Graçanicës nuk e bëri.

Kush tjetër reagoi?

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, reagoi duke e akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë seancave në Kuvendin e Kosovës shfaq flamurin kombëtar të Shqipërisë. Në deklaratën e saj, ky subjekt kërkoi nga gjykata që të përdorë “të njëjtat standarde dhe të zbatojë të njëjtin arsyetim edhe në rastet që lidhen me flamurin shqiptar”.

“S’bëhet fjalë për asgjë tjetër veçse për një tjetër dëshmi të qëndrimit të regjimit në Prishtinë ndaj popullit serb. Koha e marrjes së këtij vendimi është e lidhur drejtpërdrejt me zgjedhjet lokale dhe përfaqëson një përpjekje për të fituar pikë politike të lira”, tha Lista Serbe.

Lideri i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, duke reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore për ndalimin e flamurit të Serbisë për Vidovdan, deklaroi:

“Shihemi në Gazimestan për Vidovdan me simbolin tim kombëtar!”.

Ndryshe, Arsenijeviq kishte raportuar se ishte sulmuar për shkak të përkatësisë etnike gjatë kremtimit të Vidovdanit më 2024 në prani të Policisë së Kosovës, ngjarje pas së cilës Inspektorati Policor kishte nisur hetimet.

Në vitin 2023, ai kishte vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës flamujt e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe atë të Serbisë – flamur ky që u hoq nga sigurimi vetëm disa minuta më vonë.

Lidhur me vendimin ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila ndalimin e flamurit serb për ditën e Vidovdanit e cilësoi si një akt “drejtpërdrejt të drejtuar kundër popullit serb” dhe si dëshmi e veprimit “antiserb të regjimit” të Albin Kurtit.

“Bëhet fjalë për një mohimi të rrezikshëm dhe sistematik institucional të të drejtave të popullit serb në Kosovë dhe Metohi, por çfarëdo represioni që Kurti mund të zbatojë, nuk do të mundet ta nxjerrë flamurin trengjyrësh serb nga zemra e çdo serbi të ndershëm në Kosovë e Metohi”, deklaroi drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Ai shtoi se ka informuar për këtë vendim të gjykatës përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ka kërkuar reagimin e tyre.

Related Articles