Kosova një hap përpara, “të pret apo mos të pres” njohje nga Greqia?

Kosova një hap përpara, “të pret apo mos të pres” njohje nga Greqia?

Takimet e krerëve institucional me ministrin grek, e më pas edhe sinjalizimet se Kosova mund ta njihet nga Greqia, ngjallën reagime se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejtë, shkruan Gazeta Enigma.

Mirëpo, ish-ambasadori në Slloveni, Anton Berisha tha për Gazetën Enigma se Greqia ka një qëndrim më relaksues nga pesëshja që nuk e ka njohur Kosovën dhe nuk ka masa penguese në asnjë nivel.

Sa i përket njohjes, Berisha theksoi se duhet krijuar një kontekst i ri, që sipas tij varet edhe nga raporte multilaterale.

“Greqia ka një qëndrim më relaksues nga peseshja që nuk e ka njohur Kosovën dhe nuk ka masa penguese në asnjë nivel. Sa i perket njohjes, një kontekst i ri duhet krijuar, që varet edhe nga raporte multilaterale dhe mbetet ta shohim”.

Mes tjerash, Berisha thotë se “me Greqinë që nga vitet e 90-ta ka pasur shkëmbime vizitash të nivelit të lartë, duke filluar nga dr.Rugova e deri ne ditet e sotme”.

Anton Berisha, ish-ambasador i Kosovës në Slloveni

Marrëdhëniet Kosovë-Greqi po afrohen ditë e më shumë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, zhvilloi takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku biseduan për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Nga ky takim, Osmani  i bëri thirrje Greqisë të formalizojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Mes tjerash, Osmani i kërkoi ministrit Dendias të mbështesë përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Në vazhdën e takimeve Dendias bisedoi edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Nga ky takim, Kurti tha se marrëdhëniet Kosovë-Greqi po bëhen gjithmonë e më të ngushta.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë. Është një dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Kënaqësi të pres për një darkë mbrëmë ministrin e Jashtëm të Greqisë Niko Dendias”, shkroi Kurti në Twitter.

Në vazhdën e bisedimeve, kryeparlametari i Kosovës, Glauk Konjufca u takua edhe me presidentin e Greqisë, Konstantinos Tasoulas.

“Pas takimit me presidentin e Greqisë, u binda që njohja nuk është shumë e largët e këtij shtet për Republikën e Kosovës”, tha Konjufca, duke theksuar më tej edhe raportet mes Kosovës dhe Greqisë.

“Sa i përket relacioneve ndërshtetërore ne me Greqinë kemi relacione gjithçka përmos formalizimit të njohjeve. Pra nëse e sheh se si ata pranojnë edhe institucionet dhe ata përfaqësuesit shtetëror më të rëndësishëm të shtetit të Greqisë vijnë në Kosovë dhe ne i presim me pritje shtetërore, me të gjitha procedurat që i ka pritja shtetërore dhe këtë nuk e kanë problem si përfaqësues të institucioneve të Greqisë”.

“Në anën tjetër e kemi zyrën tonë, që në çdo aspekt funksionon si Ambasadë përveç që nuk quhet Ambasadë dhe pastaj kjo implikon edhe disa le të themi, pasoja tjera, mirëpo edhe ata e kanë përfaqësuesin e tyre në Kosovë të cilit ne i themi Ambasador, ata nuk e quajnë ambasador por ne kështu i themi për shkak se e dijmë që një ditë do të kemi Ambasadën dhe të gjitha këto, gjithmonë përpiqemi që nëpërmjet bashkëpunimit, përmes afrimit në mes të shteteve tona të vijmë deri te hapi i fundit e që është njohja formale e Republikës së Kosovës nga ana e Greqisë”, tha Konjufca.

President i Greqisë, Konstantinos Tasoulas dhe kryeparlamentari, Glauk konjufca

Për avansimin e raporteve mes Greqisë dhe Kosovës, kanë reaguar edhe nga Serbia, derisa kreu i Kuvendit Ivica Daçiq ka falënderuar Greqinë për pozicionin që shteti helen mban ndaj Republikës së Kosovës dhe për “mbështetjen” që Greqia ia jep Serbisë sa i përket çështjes së Kosovës.

Ndryshe, vlen të theksohet se Greqia është një nga pesë e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. /Gazeta Enigma/.

Related Articles