Kosova përmbyll me sukses evakuimin e qytetarëve nga Izraeli

Kosova përmbyll me sukses evakuimin e qytetarëve nga Izraeli

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael, ka përmbyllur me sukses, që në ditët e para të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, evakuimin e disa qytetarëve të Republikës së Kosovës nga territori i Izraelit, përmes Jordanisë dhe Egjiptit, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

“Procesi është realizuar në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael.

MPJD shpreh mirënjohjen e saj të thellë për bashkëpunimin dhe lehtësimin e procesit nga ana e autoriteteve përkatëse të këtyre vendeve.

Ndërkohë, MPJD po ndjek nga afër rastin e një shtetaseje të Kosovës që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva, ku së fundmi është raportuar për një sulm. Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse.”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, një qytetar tjetër i Kosovës është aktualisht në proces të largimit nga Izraeli përmes Egjiptit, me mbështetjen e Ambasadës.

Sipas të dhënave të fundit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, në territorin izraelit ndodhen edhe 13 qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë shprehur interesim për evakuim.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael mbetet në gatishmëri të plotë dhe e angazhuar për t’iu përgjigjur çdo kërkese për ndihmë nga qytetarët tanë, duke koordinuar nga afër me autoritetet izraelite dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo mundësi të mëtejme evakuimi.

Duke qenë se situata e sigurisë në Izrael vijon të përkeqësohet, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në këtë territor të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë vetëm në zona të sigurta.

Ju lutemi që me përpikëri të ndiqni udhëzimet dhe paralajmërimet e publikuara nga Komanda e Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit. Udhëzimet janë të përditësuara dhe të disponueshme në gjuhën angleze në linkun zyrtar:

Related Articles