Ismail Kadare, kolosi i madh i letrave shqipe, kishte dhënë një intervistë të fundit para se të vdiste.
Ai ndër tjera e kishte përmendur edhe Kosovën.
“Kosova duket se po ecën mirë, po shkon atje ku duhet”, kishte deklaruar Kadare për Top Channel.
Pamjet dhe disa deklarata të nga kjo intervistë e papublikuar ende, janë zbardhur mbrëmë nga Top Channel.
Për të fundit kishte deklaruar se “Shqipëria është në një periudhë që përpiqet të zërë vendin që i takon”.
Drejtori i Informacionit të Top Channel, Robert Rakipllari, i cili e ka realizuar këtë intervistë të fundit me Kadarenë u shpreh se ashtu si përgjatë kësaj interviste, Kadare ishte një perfeksionist dhe çdo fjalë e tij është gjithnjë e zgjedhur me shumë kujdes dhe përgjegjësi dhe si e tillë shijohet. Nga ana tjetër, çdo pohim i tij ka patur ndikim në jetën publike të shqiptarëve dhe ka marrë vëmendje .
“Edhe gjatë kësaj interviste donte të ishte në lartësinë që ka qenë gjithnjë. Nuk flas thjesht si admirues i veprave të tij letrare, si lexues që e çmoj shumë shkrimtarin Kadare, por edhe në raportin e një bashkëpunimi të pandërprerë me të që nga viti 2000 e këtej, duke publikuar shkrime, polemika dhe intervista në shtypin e shkruar të cilin e respektonte shumë për peshën e fjalës së shkruar.
Intervistat e tij të shkruara me shkrim dore reflektonin gjithnjë një përgjegjësi shumë të madhe për fjalën dhe titullin, përveç temave të mëdha të letërsisë, ishte një person me shumë impakt në jetën publike të shqiptarëve”, u shpreh Rakipllari.
Kadare vdiq më 1 korrik, në moshën 88 vjeçe, ai u varros dje nga familja e tij, derisa me homazhe e nderuan personalitete nga gjithë shqiptaria, dhe jo vetëm.