Kosova shënon progres në luftën kundër korrupsionit, ngjitet 17 vende më lartë se vitin e kaluar

Kosova shënon progres në luftën kundër korrupsionit, ngjitet 17 vende më lartë se vitin e kaluar

Kosova, ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit, sipas Organizatës ndërkombëtare “Transparency International”. Nga 180 vende të botës, kjo organizatë e ka ka renditur Kosovën në vendin e 87, 17 vende më lartë sesa ishte vitin e kaluar, shkruan Gazeta “Enigma”.

Sipas këtij institucioni Kosova ka shënuar përparim të lehtë në këtë fushë, duke u vlerësuar me 39 pikë – tri më shumë sesa vitin e kaluar – në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga “Transparency International”.

Për këtë sukses institucionet e Kosovës janë përgëzuar nga ambasadat e shteteve të QUINT-it, të cilët theksuan progresin që Kosova ka bërë në luftimin e korrupsionit.



I pari që reagoi për këtë sukses të shtetit kosovar, ishte Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili e ka quajtur lajm të mirë për Kosovën, progresin që kjo e fundit ka bërë në luftimin e korrupsionit.

Përmes një postimi në “Twitter”, ambasadori Rohde ka theksuar se Kosova do ta ketë mbështetjen e plotë të Gjermanisë në këtë aspekt.

“Vërtetë lajm i mirë. Kosova ka shënuar progres të dukshëm në luftimin e korrupsionit. Në indeksin e antikurropsionit Kosova ka përparuar 17 vendeve, dhe tani renditet në vendin e 87-të. Inkurajojmë Kosovën që më në fund të fillojë të ecë përpara në luftën serioze të korrupsionit. Vazhdo kështu. Kosova ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë”, ka shkruar ambasadori.

Ndërkohë, Ambasada franceze e ka quajtur lajm të mirë përparimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

“Lajm i mirë. Kosova shënon progres duke u ngjitur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Duhet vazhduar këtë progres. Franca e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ndërkohë, të martën reagoi edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila është gëzuar përparimit të Kosovës.

Von Cramon e ka quajtur si shpërblim të vogël për të gjithë në Kosovë.

“Me të vërtetë lajme të mira për Kosovën sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova ka lëvizur lartë për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Shpërblim i vogël për të gjithë në Kosovë”, ka shkruar Von Cramon.

Në vitin 2020 kjo organizatë e kishte renditur Kosovën në vendin  104, 17 vende më lartë sesa aktualisht

Nga vendet e rajonit, përparim ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.

Shqipëria ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.

Bosnje-Hercevogina ka po ashtu 35 pikë, por nuk ka ndërruar pozitë.

As Serbia nuk ka ndërruar pozitë/ Gazeta Enigma.

Related Articles