Kosova ka shënuar rënie ekstreme në lirinë e medias, duke u renditur 99-a në botë nga 180 shtete në indeksin vjetor të 2025-s për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, raporton Gazeta Enigma.
Vitin e kaluar Kosova ra nga vendi i 56-të në vendin e 75-të.
Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.
Në raport thuhet se liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve.
Thuhet tutje se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.
“Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave, iu nënshtrua një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, e cila kërcënoi edhe pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre”, thuhet aty.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se është i alarmuar me “një rënie të re drastike të Kosovës në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit”.
“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Ndërkohë, AGK ka bërë thirrje për punë të përbashkët të akterëve institucionalë me shoqërinë civile, përfshirë për hartimin e një ligji të ri të KPM-së.
Për këtë ka reaguar edhe juristja për media, Flutura Kusari e cila thekson se “kjo është pozita me e ulët në të cilën eshte rankuar Kosova në dekaden e fundit, pra nga viti 2015”.
Arsyet e kesaj rënie dramatike sipas saj janë: “Sulmet politike ndaj gazetarëve, përmendet specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun, Radio Televizioni i Kosovës, Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, Bojkoti ndaj mediave para zgjedhjeve, Moszbatimi i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, Vëzhgimi i gazetarëve, Policia dhe prokuroria i hetojnë rastet por nuk ngrisin aktakuza, Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike”
“Kosova ka qenë kampione e lirisë së medias në Ballkan. Tash është vendi i ranguar në poziten më të ulët”, vlerëson ajo. / Gazeta Enigma.