I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq kanë mandate për të marrë vendime të vështira në kuadër të dialogut.
“Vuçiqi dhe Kurti kanë mandate për të marrë vendime të vështira… BE-ja ka bërë gjithçka që mundi, por ne nuk mund të duam normalizimin më shumë se Kosova dhe Serbia”, tha Lajçaku në një intervistë për median serbe “Nova”, duke shtuar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse është vendimtare për anëtarësim në BE.
Sipas tij, një marrëveshje gjithëpërfshirëse juridikisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve është qëllimi i dialogut dhe pjesë kyçe e mandatit të tij.
“Është gjithashtu një kusht kyç për të dyja palët që përfundimisht t’i bashkohen BE-së. Dëshira ime ishte që ne të shkonim deri në fund dhe ta përfundonim procesin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme. Kjo nuk ishte e mundur, por gjithashtu dua të nënvizoj se ne kemi bërë një rrugë të gjatë”, tha Lajçaku, i cili përfundon mandatin e tij si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun më 31 gusht.
Ai tha se varet nga Prishtina dhe Beogradi që të dakordohen për marrëveshjen përfundimtare.
“Procesi është pronë e tyre dhe ne po flasim për të ardhmen e tyre. Të dyja palët e kanë integrimin evropian si prioritet strategjik dhe progresi në normalizimin e marrëdhënieve të tyre është thelbësor për përparimin drejt BE-së”, tha ai dhe shtoi se si Kosova ashtu edhe Serbia e dinë se duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje shtesë dhe ta çojnë procesin deri në fund.
“Ne mund të këshillojmë, propozojmë dhe ndihmojmë në çdo hap të rrugës dhe kjo është ajo që po bëjmë. Megjithatë, në fund, janë të dy palët ato që duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre”.
“I takon Kosovës që të fillojë procedurën për themelimin e Komunave me shumicë serbe dhe të pranojë draft-statutin evropian dhe i takon Serbisë që të përmbushë obligimet e saj të shumta paralelisht, duke filluar me njohjen e simboleve, dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës, që është paraparë në planin e sekuencimit të hapave për zbatimin e marrëveshjes”, tha i dërguari special.
Sipas tij, të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit, e jo në bazë të veprimeve apo deklaratave publike të palës tjetër.
“Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjen”, ka shtuar Lajçaku.
Ai tha se dëshira e tij është që Ballkani Perëndimor të ketë sukses dhe më në fund të bëhet pjesë e BE-së, sepse rajoni e ka vendin atje – gjeografikisht, ekonomikisht, kulturalisht.
Sipas tij, fondi i ri për rritjen e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një sinjal i qartë i përkushtimit të BE-së për integrimin e rajonit në BE.
“Nuk po flasim vetëm për gjashtë miliardë euro para të taksapaguesve të BE-së, por edhe për anëtarësimin gradual në BE”, shtoi Lajçak, i cili u emërua ambasador i BE-së në Zvicër dhe do të marrë atë pozicion më 1 shtator.
Emri i pasuesit të Lajçakut në pozitën e të dërguarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të dihet para formimit të Komisionit Evropian pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor. Një nga kandidatët është edhe ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.