Kosova vazhdon të tronditet nga vrasjet makabre – Çka duhet të bëjë shteti?

Kosova vazhdon të tronditet nga vrasjet makabre – Çka duhet të bëjë shteti?


Në orët e hershme të mëngjesit të së martës (6 prill), ndodhi një vrasje makabre në qytetin e Prizrenit, që tronditi vendin.

Babai vrau vajzën e tij 15-vjeçare, plagosi vajzën 10-vjeçare, gruan dhe më pas veten, shkruan Gazeta Enigma.

Drejtori i Policisë së rajonit të Prizrenit, Faton Aliu, u shpreh se familja e cila ka shtetësi turke ka rreth një vit që jeton dhe punon në Kosovë.

“I dyshuari është nën mbikëqyrje dhe kontroll policor, po ashtu edhe gruaja e të dyshuarit, nëna e viktimës, sepse bëhet fjalë për një familje katëranëtarëshe. Sipas informatave të para, dyshohet se kanë rreth një vit që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Nuk kemi raste të raportuara më herët për ta, për ndonjë mosmarrëveshje eventuale apo ndonjë incident tjetër,” deklaroi ai.

Në aspektin psikologjik – rastet e tilla janë pasojë e kombinimit të faktorëve psikologjikë, socialë dhe kulturorë.

Psikologia Antigona Qenaj theksoi se rastet që ndodhin brenda familjeve shpesh janë pasojë e kombinimit të faktorëve psikologjikë, social dhe kulturor.
Qenaj gjithashtu theksoi se policët, mjekët dhe mësuesit duhet të jenë të trajnuar për të identifikuar shenjat paralajmëruese të dhunës në familje.

“Policia, mjekët dhe mësuesit duhet të jenë të trajnuar për të identifikuar shenjat paralajmëruese të dhunës në familje. Mbështetja për viktimat: sigurimi i strehimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës familjare është jetik për parandalimin e tragjedive të mëtejshme,” u shpreh ajo për Enigmën.

Tutje, Qenaj shtoi se situatat stresuese si ndarja, humbja e punës ose edhe traumat e mëparshme kanë ndikim në rritjen e rrezikut për dhunë.

Sa është i sigurt shteti i Kosovës, duke pasur parasysh që shifrat e vrasjeve janë ‘alarmante’?

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, vlerëson se vrasjet në Kosovë nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me mekanizmat e sigurisë, por janë pasojë e një problemi më të thellë shoqëror.

Islami për Gazetën Enigma thotë se “ndonëse mekanizmat e sigurisë janë të përcaktuar nga ligji dhe janë të orientuar në mënyrë represive, nuk mund të pritet që një polici t’i dërgohet te dera e çdo qytetari për të parandaluar një krim”.

“Kjo dukuri është problem shoqëror,” u shpreh Islami.

“Problemi qëndron në posedimin masiv të armëve nga qytetarët,” shtoi ai, duke iu referuar të dhënave që tregojnë se që nga viti 1999, mbi 270 mijë armë janë në duart e qytetarëve të Kosovës.

Në këtë kuadër, Islami theksoi se problemi nuk qëndron te mekanizmat e sigurisë, por te faktori shoqëror dhe socio-ekonomik.

“Institucionet duhet të angazhohen më shumë në investimin e rinisë në arsim, shkencë dhe kulturë. Kjo është mënyra më e efektshme për të parandaluar dhunën dhe krimet,” tha Islami, duke nënvizuar se “një strategji afatgjatë për përmirësimin e kushteve socio-ekonomike është jetike për uljen e nivelit të dhunës në shoqëri”.

“Vrasjet në vend nuk kanë të bëjnë me mekanizmat e sigurisë. Mekanizmat e sigurisë në Kosovë janë mekanizma të mbështetur në ligj, mekanizma represivë. Askush nuk mundet t’i dërgojë një polic te dera e çdo qytetari, ky është fenomen. Kjo dukuri është problem shoqëror. Që nga viti 1999 deri sot konsiderohen 270 mijë armë zjarri që i posedojnë qytetarët, që do të thotë se çdo i katërti banor e ka një armë. Kjo është e tepërt, që do të thotë se procesi deri te arritja te arma është shumë i shpejtë,” shtoi ai.

Për rastin që tronditi vendin, ka reaguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar. I bëj thirrje organeve të drejtësisë: veproni me forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës! Zbardhje e plotë, ndëshkim maksimal – ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast. Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura. Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie. Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë!”, ka shkruar e para e vendit.

Tutje, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky akt i tmerrshëm përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Prizren, ku një shtetas turk me banim të përkohshëm në Republikën e Kosovës vrau vajzën e tij të mitur dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 11-vjeçare. Ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht. Në emrin tim personal dhe si Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e vajzës së ndjerë dhe solidarizohem me qytetarët që me të drejtë ndjejnë zemërim dhe trishtim përballë këtij akti kriminal. Uroj shërim të shpejtë për vajzën që po merr trajtim mjekësor dhe përkujdesje të vazhdueshme për të kaluar këtë traumë të rëndë”. Haxhiu shtoi se “dhuna, në çdo formë të saj, është e patolerueshme”. /Gazeta Enigma/

Related Articles