Pas shpalljes fajtor për keqpërdorim të detyrës të dy ish-zyrtarëve të komunës së Prizrenit, ka reaguar ish-kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka.
Haskuka ka thënë se nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë duhet të trajtohet si “keqpërdorim detyre”.
“Nga sot rrënimi I objekteve pa leje në Kosovë trajtohet si “keqpërdorim detyre. Kosova vend i çudirave. Vettingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, ka shkruar Haskuka.
Ndërkq, sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë rrënuar aneks-objektin e “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.