Kosova voton

Kosova voton

1 milion e 885 mijë e 448 votues nga Kosova do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të diele për të t’i zgjedhur kryetarët e tyre të komunave, shkruan Gazeta ‘Enigma’.  

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Sa persona të vdekur janë larguar nga listat e votimit?

Më shumë se 18 mijë të vdekur janë larguar nga lista e votuesve për zgjedhjet lokale në Kosovë.

“Që nga procesi i fundit zgjedhor, KQZ-ja ka gjetur një metodë të veçantë që i shërben saktësisë dhe pastrimit të listës votuese. Nga departamenti i pensioneve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi pranuar një bazë të të dhënave me emrat e personave të cilët janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes dhe zyrtarët e KQZ-së kanë verifikuar këto të dhëna në terren”, tha fillimisht ai.

Njëherit Elezi ka shtuar se “Pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252. Pjesë më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar nga skema pensionale”.

Tetë mijë e 937 persona do të votojnë për herë të parë të dielën.

“41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 shkurt apo do ta arrijnë deri më 17 tetor dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare”, ka deklaruar Elezi.

Këtë të dielë votojnë edhe të burgosurit

Në kuadër të zgjedhjeve lokale në Kosovë do të votohet edhe në institucionet korrektuese.

“Si në të gjithë vendin, me 17 tetor procesi i votimit do të zhvillohet edhe në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Në koordinim të SHKK-së dhe KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet nëpër të gjitha institucionet korrektuese, SHKK do të kujdeset për krijim e hapësirave dhe mbarëvajtjen e procesit, ndërsa listat e votuesve dhe materialet zgjedhore do të sigurohen nga KQZ”.

Janë 1637 të burgosur por prej të cilëve do të mund të votojnë vetëm shtetasit e Kosovës të cilët janë të pajisur me dokumentet valide.

“Aktualisht në institucionet korrektuese janë 1637 persona të burgosur, ndërsa të drejtë vote kanë të gjithë ata persona të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, e të cilët posedojnë dokumente valide”.

“Nga ky numër i të burgosurve përjashtohen të miturit nën moshën 18 vjeçare dhe shtetasit e huaj”.

25 mijë vëzhgues për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor

Në këto zgjedhje do të angazhohet 25 mijë vëzhgues, nga partitë politike, OJQ-të vendore ato ndërkombëtare, ambasadat si dhe nga mediat.

“Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar është rreth 25 mijë vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, organizatat jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, ambasada, institucion vendor dhe media”, ka theksuar Elezi.

Ndërsa nga organizatat ndërkombëtare janë akredituar 177 vëzhgues dhe 39 persona nga ambasadat në Kosovë.

“Numri i vëzhguesve të organizatave ndërkombëtare është 177, ndërsa 39 të tjerë u takojnë ambasadave apo konsullatave në Republikën e Kosovës”, ka thënë Elezi.

A ju duhet dëshmia e vaksinimit ditën e zgjedhjeve?

Të gjithë qytetarëve që kanë të drejtë vote më 17 tetor nuk do t’u kërkohet dëshmia e vaksinimit apo test antiCOVID.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të kërkojë nga votuesit që të dëshmojnë se janë të vaksinuar apo se kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, për Enigmën.

E njëjta gjë nuk vlen edhe për vëzhguesit, komisionarët dhe akterët e tjerë të përfshirë në procesin e votimit, për të cilët do të ketë masa kufizuese, do të kërkohet kartela e vaksinimit dhe testi anti-COVID.

“Nga anëtarët e këshillave të vendvotimit dhe nga vëzhguesit, do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës apo duhet ta kenë me vete ndonjërin nga testet për COVID-19”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së.

87 ekipe mobile në dispozicion për të infektuarit me Coronavirus në ditën e zgjedhjeve

Numri i rasteve aktive me Coronavirus në Kosovë është 745 pacientë, por të cilëve KQZ-ja u ka bërë të mundur që të votojnë nga vendi i izolimit.

“Për këtë qëllim, janë 87 ekipe mobile, me gjithsej 348 anëtarë. Në çdo ekip është edhe një anëtar nga institucionet shëndetësore, me qëllim të këshillimit profesional”, ka thënë Valmir Elezi.

Sikur edhe në zgjedhjet e kaluara ekipe mobile në teren do të ketë edhe për personat me nevoja të veçanta të cilët nuk mund të shkojnë në qendrat e votimit.

“Në ditën e zgjedhjeve, do të angazhohen 109 ekipe mobile, me gjithsej 327 anëtarë”, ka deklaruar Elezi.

80 prokurorë kujdestar

Laura Pula, nga Prokuroria e Shtetin kishte treguar se janë angazhuar 80 prokurorë kujdestar së bashku me stafin mbështetës të cilët do të kooperojnë në mënyrë të rregullt dhe në kohë reale së bashku me hetuesit e Policisë së Kosovës në të gjitha 38 Komuna të Kosovës.

Fatime Dërmaku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kishte treguar në detaje se për ditën e zgjedhjeve në nivel vendi kanë angazhuar 35 gjyqtarë kujdestarë.

“Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë caktuar shtatë gjyqtarë kujdestar, nga Departamenti Special është një gjyqtarë, Departamenti i Krimeve të Rënda është një gjyqtarë si dhe pesë gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm që mbulojnë gjithë territorin e Prishtinës”.

Kujtojmë se balotazhi për ata kandidat që nuk arrijnë të marrin shumicë për të udhëhequr komunën ku garojnë, do të mbahet më 14 nëntor./Gazeta Enigma

Related Articles