Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka paditur Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
KOSTT-i ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të anulohet neni 5 i Licencës nr. ZRrE/Li_15/17, sipas të cilit KOSTT-i obligohet t’i mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës.
Sipas padisë që KOSTT-i e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështje administrative, ZRrE-ja në vazhdimësi ka injoruar kërkesat për kompensimin e humbjeve të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës.
“Prej vitit 2017, e këndej, në mungesë të të hyrave, sipas licencës në fjalë, KOSTT sh.a. në vazhdimësi është përballur me vështirësi për mbulimin e kostos financiare për humbjet e energjisë elektrike të shkaktuara në katër komunat në veri të Kosovës. Ndërkaq nga viti 2020 e këndej, KOSTT sh.a. është vënë në pozitë të vështirësive financiare dhe se pagesa e mëtejme e këtij obligimi do ta vë në pikëpyetje ekzistimin e kësaj ndërmarrjeje, ndoshta edhe falimentimin e saj”, është thënë në padinë e KOSTT-it.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) është duke u ballafaquar me kritika të ashpra nga opozita, pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kjo e fundit ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike. Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRrE-së.
Opozita është duke kërkuar shkarkimin e bordit të ZRrE-së, madje PDK-ja ka dorëzuar padi kundër këtij bordi, për shkak të vendimit të gjykatës në lidhje me tarifat e energjisë elektrike.