Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një njoftimi kanë kundërshtuar deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me punën e KPK-së, raporton Gazeta “Enigma”.
Ata kanë cituar ministren ku sipas tyre, ajo përmend “mosvullnetin e as interesin për trajtimin serioz të krimeve të luftës nga sistemi prokurorial i Kosovës me në krye ish-kryeprokurorin Lumezi”.
Sipas KPK-së, deklarata e Haxhiut nuk është e vërtetë, pasi siç thuhet në njoftim KPK-ja i ka caktuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Për të mbështetur këtë departament, po ashtu, janë caktuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy zyrtarë ligjorë. E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim. / Gazeta Enigma.