KPM e konfirmon se RTK1 shkeli Kodin e Etikës kur transmetoi artikullin e “Slobodna Bosna”

KPM e konfirmon se RTK1 shkeli Kodin e Etikës kur transmetoi artikullin e “Slobodna Bosna”

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) konstatoi të martën se në rastin e transmetimit të lajmit nga portali boshnjak “Slobodna Bosna”, në edicionin qendror të lajmeve, Radio Televisioni i Kosovës ka bërë shkelje të Kodit të Etikës, saktësisht të nenit që ka të bëjë me raportim të lajmit në mënyrë të paanshme. Andaj, si sanksion- udhërohet RTK 1 të transmetojë publikisht detajet dhe natyrën e shkeljes së Kodit të Etikës dhe t’i ofrojë palës ankuese- Nacionale.com të drejtën e reagimit në hapësirën e njëjtë sikur kur është transmetuar lajmi i parë.

Vendimi në fjalë është marrë me 5 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në mbledhjen e 9-të të rregullt nga KPM-ja.

Fillimisht, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti tha se kanë pranuar një ankesë nga Nacionale.com lidhur me transmetimin e një lajmi në edicionin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) më 22 korrik 2024.

“Nga kjo ankesë pretendohet nga ana e palës e cila është ankuar se nuk ka mbështetje të atij lajmi në asnjë fakt dhe asnjë provë. Ankesa vazhdon me transkriptimin e lajmit i cili është publikuar tek edicioni qendror i lajmeve, në të cilin thuhet se e përditshmja sarajevase “Slobodna Bosna” publikoi një vendim, sipas të cilit zbulon qëllimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq që pas Malit të Zi dhe Kosovës, është vënë në ekspansion kur bëhet fjalë për gllabërimin e mediave të papërshtatshme në rajon. Slobodna Bosna shkruan se pas aksioneve në Malin e Zi, radha i ka ardhë për sulmin mediatik në Kosovë”, tha Mehmeti teksa citoi lajmin.

Ai tutje lexoi se “Slobodna Bosna” raporton se një portal në Kosovë është në kontroll të drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq dhe se një portal tjetër ka pranuar transaksion milionësh për publikim të shkrimeve për Qeverinë e Albin Kurtit.

“Ky medium shkruan se nën vëzhgimin e Vuçiqit, edhe media nga Federata e Bosnjës sipas një skenari të mirëpërgatitur një ushtri të botës, ka për detyrë të rrëzojë serverët dhe të kryejë sulme ndaj portalit dhe rrjeteve sociale. Nëse plani nuk arrihet, fillohet me përpjekjen për të marrë nën kontroll mediat”, citoi ai tutje lajmin e RTK1.

Kurse, tha se zyra ekzekutive e pas pranimit të ankesës më 29 korrik 2024, me qëllim të sqarimit të pretendimeve, ka kërkuar nga RTK-ja të sjellë sqarime lidhur me atë lajm.

Më 1 gusht 2024, Mehmeti tha se RTK1 iu përgjigj duke theksuar se lajmi është marrë në ueb-sajtin e RTK-së nga një shkrim i përkthyer nga “Slobodna Bosna”, ku pretendohet për ndikimin e Vuçiqit në disa mediume në rajon, mes tjerash edhe në Kosovë.

Sipas RTK 1, duke qenë se mediumi boshnjak ka përmendur me emra mediumet kosovare, RTK ka vendosur të mos i publikojë me emra, pasi nuk ishte shkrim autentik i tyre.

Related Articles