KQZ deklarohet pas ankesave për vonim të rezultateve, thotë se nuk është cenuar integriteti i votës

KQZ deklarohet pas ankesave për vonim të rezultateve, thotë se nuk është cenuar integriteti i votës



Ndonëse ende nuk janë publikuar rezultatet finale nga zgjedhjet e 9 shkuritit, nga KQZ-ja kanë theksuar “integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike”, shkruan Gazeta Enigma.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i institucionit është i përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.  Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës”, thuhet nga KQZ.

Po ashtu në njoftim theksohet se KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi.

“Procesin e numërimit të votave të kanidatëve për deputetë dhe verifikimin i votave të subjekteve politike, kemi filluar gjatë ditës së djeshme në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Në QKN-të e Obiliqit, Lipjanit dhe Parteshit, procesi i numërimit dhe evidentimit të këtyre rezultateve në platformë elektronike dhe formularët digjital, është zhvilluar pa ndonjë problem, por në QKN-në e Prishtinës janë paraqitur probleme të herëpashershme”, theksohet tutje në njoftim.

Aktualisht, procesi i numërimit është duke u zhvilluar në këto Qendra Komunale të Numërimit dhe gjatë ditës do të fillojë edhe në qendra të tjera, për të cilat do të njoftojmë.

Nisur nga fakti që të dielën në mbrëmje kishte probleme të mosfunksionimit të platformës për rezultatet preliminare, KQZ i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për mbështetje teknike.

“Ndërkaq, lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi, KQZ njofton se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë”, theksohet tutje.



Related Articles