Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë së shpejti dosjen e paaudituar të informimit publik për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Përmes kësaj dosje do të mësohen donatorët e secilit subjekt politik, për shumat kumulative më shumë se 100 euro dhe raportet e publikimit financiar të fushatës së subjekteve politike të dorëzuara te KQZ-ja. Po ashtu, KQZ-ja do të publikojë edhe raportet e publikimit financiar të kandidatëve që janë zgjedhur deputet të Kuvendit të Kosovës.
Ky publikim nga KQZ-ja do të shoqërohet me tekstin shpjegues raportet financiare të fushatës janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u prezantua edhe një raport lidhur me ecurinë e përgatitjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit. Sipas KQZ-së, përgatitjet e zgjedhjeve janë duke u zhvilluar sipas planifikimeve me planin operacional të miratuar në fillim të këtij procesi.