Nga zgjedhjet lokale të vitit 2021 deri në gusht të vitit 2024, rreth 40 mijë emra të personave të vdekur janë larguar nga lista votuese në Kosovë. Ky veprim synon të përmirësojë saktësinë e listës së votuesve dhe të sigurojë integritetin e procesit zgjedhor, shkruan Gazeta “Enigma”.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Ai në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka dhënë detaje për procesin që kryen KQZ-ja që Lista e Votuesve të jetë sa më e saktë.
“Nëse flasim vetëm për numrin e personave të vdekur që janë larguar nga Lista Votuese pas Zgjedhjeve Lokale të vitit 2021, atëherë ky numër është: 39 mijë e 665 votues. Këtë të dhëna janë pjesë e raportit të Listës Preliminare të Votuesve i prezantuar në KQZ. Certifikimi i Listës së Votuesve është planifikuar të bëhet në fillim të vitit 2025 dhe atëherë do të kemi të saktë numrin e votuesve të larguar si të vdekur nga lista votuese që pas Zgjedhjeve Lokale 2021. Gjithashtu, me certifikimin e listës së votuesve do të kemi edhe numrin e saktë të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës”, ka deklaruar ai.
Elezi tutje ka njoftuar se aktualisht është duke u zhvilluat periudha për kundërshtimin e Listës Preliminare të Votuesve që të bëhet pastrami I listës votuese.
“Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të datës 9 shkurt 2025, është duke vazhduar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve. Kjo periudhë ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 28 dhjetor 2024. Pra, deri në këtë kohë, votuesi mund të kundërshtojnë Listën Preliminare të Votuesve edhe për ndonjë emër të ndonjë votuesi për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur”, tha Elezi për “Enigmën”.
Sipas Elezit “çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj përmes sistemit elektronik apo duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse”.
Sipas legjislacionit të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është përgjegjës për përditësimin dhe mirëmbajtjen e listës së votuesve, duke përfshirë largimin e emrave të personave të vdekur dhe atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia.
Këto detyra realizohen në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe përmes procedurave të përcaktuara ligjërisht.
Largimi i personave të vdekur nga lista votuese:
KQZ-ja bashkëpunon me Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të marrë të dhënat e nevojshme mbi personat e vdekur. ARC-ja, e cila menaxhon Regjistrin Civil të Kosovës, është përgjegjëse për regjistrimin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.
Kur një person ndërron jetë, familjarët ose institucionet përkatëse janë të detyruara të raportojnë vdekjen në zyrat e gjendjes civile. Këto informacione përditësohen në Regjistrin Civil dhe më pas përcillen te KQZ-ja për të përditësuar listën e votuesve, duke larguar emrat e personave të vdekur.
Largimi i personave që heqin dorë nga shtetësia:
Personat që heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës duhet të ndjekin procedurat e përcaktuara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Pas përfundimit të procesit të heqjes dorë nga shtetësia, MPB-ja përditëson Regjistrin Civil me këto informacione. KQZ-ja, duke u bazuar në të dhënat e përditësuara nga Regjistri Civil, largon nga lista e votuesve emrat e personave që nuk janë më shtetas të Kosovës.
Kujtojmë se është thelbësore që KQZ-ja të bashkëpunojë ngushtë me ARC-në dhe MPB-në për të siguruar që lista e votuesve të jetë e saktë dhe e përditësuar, duke reflektuar ndryshimet në statusin civil dhe shtetësinë e qytetarëve. Ky proces ndihmon në garantimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe në sigurimin që vetëm personat me të drejtë vote të jenë të përfshirë në listën e votuesve.
Sipas KQZ-së, çdo votues mund të kontrollojë të dhënat e tij, përfshirë edhe qendrën e tij të votimit, në platformën elektronike: http://qv.kqz-ks.org, ndërkaq për të kundërshtuar pasaktësitë në Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të identifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasaportë e vlefshme dhe leje e vozitjes e vlefshme. /Gazeta Enigma/