Kanë kaluar pesë ditë nga zgjedhjet në Kosovë, por procesi ende nuk është përmbyllur plotësisht.
Ndërsa pritej që gjithçka të mbyllej shpejt, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka publikuar rezultatet finale të numërimit të votave nëpër komunat e Kosovës.
Rifreskimi i fundit i të dhënave në faqen zyrtare të KQZ-së u bë më 12 shkurt, pra dy ditë më parë.
Asgjë më nuk ka lëvizur, derisa përqindja e numërimit të votave mbetet e njëjtë. 99.72 përqind.
Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka kërkuar nga KQZ-ja marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.
Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.
Edhe ish-zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se njëmend është vështirë të manipulohet me vota, por e keqja e gjithë kësaj është humbja e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.