KQZ pezullon tenderin për bartjen e materialeve votuese jashtë vendit, rrezikohet procesi i votimit të diasporës

KQZ pezullon tenderin për bartjen e materialeve votuese jashtë vendit, rrezikohet procesi i votimit të diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pezulluar tenderin që ia dha “AL Dushi”, një kompanie të papërgjegjshme e cila ishte angazhuar për bartjen e materialeve votuese nëpër vendvotime në ambasadat e Kosovës në mbarë botën dhe kthimin e fletvotimeve në Kosovë, pa i plotësuar kriteret që kërkoheshin.

Operatori ekonomik, oferta e të cilit është shpallur “administrativisht e papërgjegjshme” të mërkurën ka parashtruar ankesë në KQZ, duke e shfrytëzuar këtë të drejtë konform afatit ligjor. Aty, ky operator ekonomik ka paraqitur fakte të cilat dëshmojnë se oferta e tyre ishte konform kërkesave të parashtruara në tender.

Kompania “AL Dushi”, që kishte ofertuar me çmim dy herë më të lartë, nuk kishte dorëzuar sigurim të tenderit si një garanci, siç kërkohet në formularin e aplikimit, nuk e kishte specifikuar se ofron shërbimin e postës diplomatike ndërkombëtare, siç kërkohet në rastin specifik dhe materialet votuese e fletvotimet do t’i barte me fluturime komerciale.

Tenderi specifikon kërkesën që operatori ekonomik të ishte i autorizuar nga njëra prej kompanive ndërkombëtare për ofrimin e shërbimeve të dërgesave ndërkombëtare diplomatike nga dhe në Kosovë. “AL Dushi” do të duhej ta dorëzonte kontratën, marrëveshjen apo një autorizim për ofrimin e shërbimeve postare diplomatike, gjë të cilën nuk e ka bërë. Kjo kompani ka ofruar vetëm një autorizim nga kompania UPS e cila nuk specifikon se ofron shërbime postare diplomatike në Kosovës.

“AL Dushi” s’kishte marrë përgjegjësi as për afatet kohore për dorëzimin e materialeve votuese dhe fletvotimeve.

Vonesat e mundshme si pasojë e procedurave që mund t’i ndjekin shtetet pranuese përmes organeve doganore nuk ishin llogaritur dhe kjo të çon te bindja se “AL Dushi” nuk ofronte shërbime postare diplomatike, pasi ato nuk mund të ndalen në asnjë shtet të botës dhe dorëzohen pa kontrolle të autoriteteve.

Se “AL Dushi” nuk ofron shërbime postare diplomatike ndërkombëtare dëshmon fakti që kësaj kompanie Ministria e Punëve të Jashtme ia ka shkëputur kontratën në tetor të vitit të kaluar, pasi 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për shtetësi nuk kishin shkuar në destinacion, e dokumente të tjera ishin dëmtuar.

Ministria e Punëve të Jashtme madje i ka kërkuar Organit Shqyrtues të Prokurimit më 24 dhjetor të vitit të kaluar që kjo kompani të futet në listë të zezë dhe të mos marrë pjesë në procese tenderuese për një vit.

MPJ arsyetonte se përkundër vërejtjeve të njëpasnjëshme për vonesat e dorëzimit të dërgesave, ankesave nga ambasadat dhe misionet diplomatike të vendit, kompania nuk është ndalur në papërgjegjshmëri dhe se po i vuajnë ende pasojat e kësaj papërgjegjshmërie.

Mbi 100 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit votojnë për zgjedhjet parlamentare nga 9 janari deri më 9 shkurt, kur ato do të zhvillohen në Kosovë. Afro 105 mijë qytetarë në diasporë janë regjistruar për të votuar.

Related Articles