Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar të enjten pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump në një ceremoni që është mbajtur të enjten në Davos të Zvicrës.
Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë biseduar për pak sekonda.
Nënshkrimin për të qenë pjesë e këtij Bordi sot e kanë dhënë vetëm 19 shtete. Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia janë vendet që kanë nënshkruar në ditën e themelimit të këtij bordi.
Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.
Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.
