Krasniqi për ‘Enigmën’: Mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetues

Presioni ndaj Qeverisë së Kosovës për të lejuar organizimin e referendumit të Serbisë në Kosovë, po vazhdon të rritet, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Së fundmi edhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të mbledh fletëvotimet e serbëve të Kosovës, sipas praktikave të kaluara.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma‘ ka thënë se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetues.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krsniqi.

Njëherit, ai ka shtuar se “ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshem lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e nje shteti fqinj”.

Krasniqi i bënë thirrje Qeverisë për të ofruar zgjidhje si shtet i pavarur dhe sovran.

“Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka përfunduar Krasniqi.

Ndryshe, shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejoj OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.

Përmes një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se ju vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të mbledh fletëvotimet e serbëve të Kosovës, sipas praktikave të kaluara.

“Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në komunikatë./Gazeta Enigma/

Related Articles