Krasniqi reagon ndaj aktakuzës së re kundër Hashim Thaçit: Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi

Krasniqi reagon ndaj aktakuzës së re kundër Hashim Thaçit: Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi

Pas ngritjes së aktakuzës së re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale në Hagë ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, raporton Enigma.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo aktakuzë e re ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.

Sipas tij, këto shqetësime thellohen edhe nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera.

“Njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.

Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për Hajredin Kuçi.

Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai tha se: “Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri”.

Krasniqi apelon që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale.

“Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës.”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në Facebook.

Related Articles