Nga katër aksionet në rastin e ashtuquajtur “Brezovica”, deri më tani janë arrestuar 26 të dyshuar, prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.
Ndërsa, tre të dyshuarve në këtë rast, iu është caktuar masa e sigurisë, me të cilën iu është urdhëruar paraqitja në stacion policor dhe ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar.
Në mesin e këtyre të arrestuarve, është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili dyshohet se ka përfituar 1 milion euro jashtëligjshëm nga dhënia e lejeve për ndërtim të villave në zonën e Brezovicës.
Po ashtu, nga ky aksion u arrestuan zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore, përfshirë këtu edhe Arben Çitakun, ish-sekretar i Ministrisë së Ambientit si dhe S.I, kryetarin e bordit të “Ski Center Brezovica“ dhe doganierin N.G.
Ndryshe, aksioni “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 dhe është i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, të cilët kanë zhvilluar këtë aksion në Komunën e Shtërpcës.
Fillimisht në këtë aksion, me urdhër të prokurorit, janë arrestuar dhjetë persona të dyshuar, ndërsa në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe disa pronarë të firmave, për shkak të dyshimit për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku ka thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliq, ish-kryetar i Shtërpcës, ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.
Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.
Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.
Numri i të arrestuarve kishte shkuar në 17 me arrestimin e këtyre shtatë të dyshuarve më 6 janar 2022, ndërsa afër 6 milionë euro u bllokuan.
Por, më 4 prill, nga Gjykata Themelore në Ferizaj, konfirmuan se Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ismet Asllani, pronar i kompanisë “Kashtanjeva Dekor SHPK”, janë liruar nga masa e paraburgimit.
Tutje, më 3 mars 2022 ka vazhduar aksioni “Brezovica 3” me bastisjen e 12 lokacioneve në katër qytete të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj e Lipjan.
Nga ky aksion, janë arrestuar 7 persona, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim të ndikimit.
Lidhur me këtë aksion, nga zyra për informim e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” dhe katër të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Aksioni “Brezovica” vazhdoi edhe më 16 mars 2022, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Ky aksion pritet të vazhdojë më tutje, ndërsa prokurori Rasim Maloku ka thënë se në këtë çështje askush nuk do të jetë i paprekshëm. / Gazeta Enigma.