Në mëngjesin e së dielës Policia e Kosovës u ballafaqua me një grup kriminal serb në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë rreshteri Afrim Bunjaku u vra, një zyrtar policor u plagos dhe dy tjerë u lënduan.
Rasti sipas policisë, ka ndodhur gjatë orës 02:34 në Mitrovicë të Veriut, pasi njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë ishin vendosur dy kamionë pa targa, ku me çrast ishte bllokuar hyrja në këtë fshat.
Më pas njësitë e stacionit policor nga Zveçani pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kishin hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë, njofton Klankosova.tv.
Policia njoftoi se njësitet e saj në vetëmbrojtje i ishin përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.
Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit ishin transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërkohë, Policia e Kosovës pas ballafaqimit me sulmuesit, konfirmoi vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
Policia e Kosovës, ka bërë publike disa lloje nga arsenali i armëve që kanë gjetur gjatë kontrollit në disa lokacione e objekte banimi në Banjskë të Zveçanit.
Sipas tyre, bëhet fjalë për dhjetëra, qindra armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov.
Detaje nga rasti dha edhe Prokuroria Speciale, ku tha se gjashtë persona janë ndaluar për përfshirje në sulm ndaj Policisë së Kosovës në ngjarjen e mëngjesit të djeshwm në Banjskë të Zveçanit.
Tutje, bëri të ditur se edhe janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.
Ndërkohë, kjo ngjarje që ndodhi dje është dënuar ashpër nga të gjithë, duke përfshirë edhe spektrin ndërkombëtar.
Sot, në nderim të policit të vrarë është shpallur ditë zie nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përndryshe, polici i vrarë Afrim Bunjaku do të varroset sot në Samadrexhë të Vushtrrisë.