Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, është pritur me protestë të hënën në Komunën e Skenderajt, në një vizitë në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Disa qytetarë kanë protestuar para vendit ku ishte planifikuar të deklarohej Albin Kurti – kryeministër i Kosovës, i cili synon edhe një mandat në këtë pozitë – si dhe janë dëgjuar duke bërtitur “Thaçi, Thaçi”, referencë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që tradicionalisht ka qenë në krye të garës në këtë komunë.
Në zgjedhjet e vitit 2021, PDK-ja pati siguruar 70.9 për qind të votave në këtë komunë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 20 për qind.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë në aksionin e protestuesve, të cilët kanë përdorur edhe mjete piroteknike.
Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë thënë se aktualisht nuk ka të arrestuar për këtë incident.
Përmes faqes zyrtare në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ka dështuar “përpjekja për ta pamundësuar tubimin në qytetin e Skenderajt”.
“Vazhdojmë cep më cep vendit”, është thënë në postim.
Vetë Kurti ka thënë në Facebook se bastioni i partisë që udhëheq është “zemra e qytetarit të Republikës”.
“Drenica është zemra e Kosovës. Rroftë familja Jashari! Rroftë Skenderaj! Rroftë kombi shqiptar!”, ka thënë ai.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka dënuar këtë pritje në Skenderaj, ndërsa protestuesit i ka përshkruar si “qyqarë”.
“Harroni që na ndalni. Po thyejmë bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Anëtarë të shoqërisë civile e kanë kritikuar Çekun për gjuhën e përdorur.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), shprehi shqetësimin e saj të me incidentin e ndodhur në Skënderaj, duke dënuar “çdo formë dhune, provokimi apo ndërhyrje në proceset demokratike, veçanërisht gjatë një periudhe kaq të ndjeshme të fushatës zgjedhore”.
“Të tilla akte janë një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë”.
DnV ka thënë ditë më parë se subjektet politike e kanë rritur përdorimin e gjuhës nxitëse apo të urrejtjes në javën e dytë të fushatës zgjedhore.
Në një konferencë për media, Violeta Haxholli nga kjo organizatë ka thënë se 20 për qind e fushatës, e cila ka nisur më 11 janar, ka përmbajtur gjuhë të tillë deri tani.
Sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes në 25 për qind të aktiviteteve të saj zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës në 20 për qind, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA në 18 për qind, dhe Partia Demokratike e Kosovës në 11 për qind.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.