Krejt çka thanë Osmani, Kurti e Basha në përvjetorin e Policisë së Kosovës

Krejt çka thanë Osmani, Kurti e Basha në përvjetorin e Policisë së Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, morën pjesë në ceremoninë qendrore të 26-vjetorit të Policisë së Kosovës, e cila u mbajt në Drejtorinë e Përgjithshme në Prishtinë, raporton Gazeta “Enigma”.

Presidentja Osmani në fjalën e saj në ceremoninë kryesore për shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës tha se Kosova e ka vendin në Interpol.

Tutje ajo ka shtuar se historia e Policisë së Kosovës është histori e përkushtimit dhe përballjes me sfida. Ajo e ka vlerësuar Policinë si shtyllë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Sot ne kremtojmë historinë e policisë, e cila është histori e kurajos, përkushtimit dhe përballjes me sfidat që ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta të stabilitetit dhe integritetit tonë territorial”.

‘‘Sidomos, gjatë viteve të fundit, në periudha të ndjeshme, veçanërisht në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm, guxim të pashoq dhe duke garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve tanë pa dallim. Ky përkushtim nuk është vetëm detyrë ligjore, por mbi të gjitha është akt atdhetarie, sepse çdo uniformë e Policisë e Kosovës është shërbim, është simbol i rendit ligjit dhe dinjitetit tonë shtetëror’’, ka thënë Osmani.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kjo ditë është dëshmi e rrugëtimit të Kosovës si shtet mbi shumë sfida.

“Sot shënojmë 26 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit më të besueshëm në Republikën tonë, së bashku me FSK-në, ushtrinë tonë. Ky përvjetor nuk është thjesht shënim i një date, por është dëshmi e rrugës sonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj, qytetarëve dhe Republikës”, ka theksuar Kurti.

Gazmend Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se institucioni që ai drejton është bërë simbol i besimit dhe shpresës për ndërtimin e shtetit.

“Ky zhvillim dhe avancim është rezultat i përkrahjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve tjera vendore e akterëve ndërkombëtarë për çka ne u jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka thënë Hoxha.

Poashtu edhe kryekuvendari i Kosovës, Dimal Basha tha se Policisë së Kosovës i është njohur profesionalizmi i dalluar edhe nga organizatat dhe partnerët tanë ndërkombëtare.

“Policia e Kosovës, përveç se është garantuese e qetësisë sonë të përditshme, ajo është bërë edhe simbol i shtetit tonë të pavarur, dhe krejt kjo përmes punës së pandalshme dhe operacioneve efikase duke shkatërruar bandat kriminale si në jug, po ashtu edhe në veri të vendit. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të madh për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për përkushtimin, sakrificën dhe guximin e tyre të përditshëm”, shkroi Basha. /Gazeta Enigma/

Related Articles