Të enjten, më 24 tetor, në Bruksel u mbajt një takim trepalësh i rëndësishëm midis përfaqësuesve të Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Ky takim kishte për qëllim avancimin e dialogut mes dy vendeve ballkanike dhe lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve, raporton Gazeta “Enigma”.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë arritur përsëri pajtueshmëri gjatë një takimi të enjten në Bruksel, për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.
Udhëheqësi i dialogut Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit trepalësh me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, ka dekalruar se palët u dakorduan për hapat e ardhshëm.
“Folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende nuk ka filluar në thelb”, shkroi Lajçak në një postim në X.
“Ne diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh të rëndësishme që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara dhe ramë dakord për hapat e ardhshëm”, u shpreh tutje ai.
Bislimi tha se takimi përfundoi “pa asnjë rezultat në temat e rëndësishme”.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se “fatkeqësisht, për temën kryesore që jemi mbledhë, nuk ka rezultate”, e që fjala ishte për rrugën përpara drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë.
“Fatkeqësisht, për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultate. Në pikën rreth ecjes përpara me normalizimin e raporteve. Mbeti në fund që Lajçaku të kthehet edhe një herë tek drafti i tij i nëntë i datës 8 dhjetor dhe ta plotësojë me komentet e palëve dhe të provojë edhe një herë”.
“Serbia edhe më tej insiston me implementim të pjesshëm, sipas idesë “ne bëjmë diçka, ju bëni diçka”. Ndërkaq në tema të tjera mund të themi se ka pasur diçka lëvizje. Shembull jemi dakorduar të themelojmë një grup punues që do të harmonizojë rreth 20 certifikata veteriner, të cilat përdoren në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe po ashtu që të kërkohet që trupat e inspektoratit fitro-sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme edhe te Dheu i Bardhë”, tha Bislimi.
Tutje, ai tha se janë njoftuar nga Lajçaku se ka premtime të mëdha në Beograd se deri në fund të muajit të ardhshëm do të lëshohen linjat e interkoneksionit, që sipas tij, ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Energjisë e vitit 2022.
“E kemi diskutuar edhe lirinë e lëvizjes, ku Lajçak e nënvizoi rëndësinë e hapjes së një qendre për inspektimin teknik që e ka hapur qeveria në veri. Kishte edhe kërkesa që mbase të arrihet ndonjë marrëveshje për lejimin e vizitave të kryenegociatorëve, por ne mendojmë se duhet të respektohet marrëveshja ashtu sic është nënshkruar më herët. Te tema kryesore, që për ne është shumë e rëndësishme, ecja përpara drejt normalizimit nuk ka lëvizje.
“Nga Serbia dëgjuam se kryeministri i tyre, Millan Vuqeviq, një letër dërguar Komisionit, sipas tij, është përkushtuar që Serbia do t’i zbatojë të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazike. Por ne mendojmë se për të qenë kjo e sinqertë, duhet të shoqërohet me tërheqjen e letrës së Bërnabiqit, e cila gjë është shumë e lehtë”, tha ai.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ka kërkuar nga pala kosovare themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjatë takimit në Bruksel mes tij dhe kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi.
Petkoviq tha se bisedimet e sotme ishin “të mundimshme”.
“Takim me Bislimin ka qenë i mundimshëm, sepse Prishtina refuzon të diskutojë për propozimet e Beogradit. Thelbi i të gjitha marrëveshjeve, si asaj në Bruksel ashtu edhe në Ohër, është formimi i Asociacionit dhe kjo është baza e normalizimit të marrëdhënieve”, tha Petkoviq për mediat serbe,
Ai po ashtu tha se është diskutuar për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Prishtina ka bërë komente të ndryshme, duke u përpjekur që edhe ai proces të ndalet”, deklaroi Petkoviq./Gazeta Enigma/