Kryeparlametari Glauk Konjufca, ishte i pari që priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.
Gjatë këtij takimi ata diskutuan për proceset aktuale politike në vendin tonë dhe çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të Kosovës.
Konjufca e njoftoi raportuesen Von Cramon për angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve që lidhen me këtë proces, ndërsa shprehu kënaqësinë që tashmë edhe qytetarët e Kosovës gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen, thuhet në komunikatë.
Në takim gjithashtu u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjithashtu ka pritur në takim raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Siç thuhet në njoftimin e LDK-së, në takim është diskutuar për temat aktuale politike në vend.
“Në këtë takim u diskutua rreth temave aktuale politike në vend si dhe qëndrimeve të LDK-së karshi këtyre ngjarjeve”, thuhet në njoftim.
“Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian i kanë dhënë Kosovës, në veçanti gjatë procesit të liberalizimit të vizave, si një hap i vonuar për popullin e Kosovës.
Abdixhiku falënderoi Von Cramonin për avokimin e saj në procesin e liberalizimit gjatë gjithë kohës.
Edhe Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të cilës i ka kërkuar që të avokon për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Krasniqi theksoi se me Von Cramonin, mes tjerash, ka biseduar edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vendin tonë.
“Sot, në Partinë Demokratike të Kosovës, takova raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Bashkë diskutuam për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vendin tonë, duke mos lënë anash as procesin e Integrimit evropian të Kosovës”, shkroi Krasniqi.
Krasniqi potencoi se ka falënderuar Von Cramonin për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe ajo i kanë dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nga raportuesja von Cramon kërkova që ajo të avokoj edhe për heqjen e sanksioneve të BE-së kundrejt shtetit tonë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen padrejtësisht si pasojë e papërgjegjësisë politike të një Qeverie të paaftë”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ishte pritësi i rradhës së eurodeputetes Viola von Cramon.
Gjatë takimit, ata kanë diskutuar për një sërë çështjesh të rëndësishme të pushtetit lokal, të zhvillimit të projekteve nga fondet e BE-së, për vizionin për kryeqytetin si dhe bashkëpunimin e Prishtinës me qytetet e vendeve tjera të botes demokratike, raporton Klan Kosova.
“Në diskutimet tona u fokusuam në çështje si: Zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit si dhe rritja e mundësive ekonomike dhe përmirësimi i infrastrukturës”, ka shkruar Rama në Facebook.
“Eurodeputetja Von Cramon shprehu mbështetjen e saj të plotë për iniciativat dhe projektet tona për transformimin e Prishtinës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes nesh”, ka shtuar ai.