Krerët shtetëror dhe deputetët nderojnë figurën e Rexhep Qosjes në Kuvendin e Kosovës

Krerët shtetëror dhe deputetët nderojnë figurën e Rexhep Qosjes në Kuvendin e Kosovës

Sot në Kuvendin e Kosovës po mbahet seancë e veçantë kushtuar akademikut Rexhep Qosja, i cili vdiq më 23 prill në moshën 89-vjeçare.

Seanca nisi me një minutë heshtje për Qosjen.

Pas kësaj deputetët e krerët shtetëror në fjalimet e tyre e nderuan lartë figurën e Qosjes.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vlerësoi kontributin e Qosjes në kulturën dhe mendimin shqiptar, duke theksuar rolin e tij në ndërtimin e vetëdijes historike dhe intelektuale.

“Njëri nga njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike dhe vetëdije dhe përgjegjësie historike. Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohe ai u përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike. Ai e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes Kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik”, theksoi ajo.

Tutje ajo vazhdoj se Qosja “Si shkrimtar dëshmoi se letërsia mund të jetë njëkohësisht art dhe ndërgjegje. Në veprat e tij artistike, e solli njeriun përballë frikës, pushtetit, padrejtësisë dhe dilemave të kohës sonë. Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi me pyetjen më të madhe të kohës së tij: si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike”.

Kurse në fjalën e tij, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, e ka vlerësuar Qosjen si një nga figurat më të rëndësishme intelektuale dhe letrare të kombit shqiptar.

“Çdo krijues përshkruhet nga një parim suprem qëllimor, i cili është forca e vërtetë shtytëse e veprimtarisë së tij. Por cili ishte parimi i Qosjes? Ideali i tij ishte liria kombëtare, prandaj gjithçka që prodhoi ka formën e luftës kundër shtypjes”, tha Konjufca.

Kurse Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vlerësuar lart figurën e akademikut Rexhep Qosja gjatë seancës së veçantë të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në nderim të tij.

“Ne nuk e humbëm vetëm një njeri të dijes, e humbëm një institucion të mendimit kritik. E humbëm një tribun të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshtte. Dhe pikërisht sepse nuk heshti kurrë, ai do të vazhdojë të dëgjohet edhe në të ardhmen. Akademik Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës së tij. Ai ishte gjykatës i saj. Nuk ishte vetëm shpjegues i letërsisë, historisë apo politikës, por sfidues i tyre. Nuk ishte as produkt i rrethanave kohore, por ishte kundërshtim i tyre. Dhe në një mjedis që shpesh njeriu kërkon rehatinë, ai zgjodhi shqetësimin. Në një politikë që shpeshherë kërkonte kompromise, ai zgjodhi të vërtetën. Dhe në këtë shoqëri që shpesh harron, ai zgjodhi kujtesën. Këto ishin, këto nuk ishin zgjedhje të lehta, ishin zgjedhje me çmim të lartë”,  tha ai.

Related Articles