Kritikat e ashpra të Kurtit për Lajçakun, reagimi i Departamentit amerikan dhe i të tjerëve

Kritikat e ashpra të Kurtit për Lajçakun, reagimi i Departamentit amerikan dhe i të tjerëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën në një konferencë për media ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak se po bashkëpunon me palën serbe në këtë proces dhe po mbron interesat e saj.

Kurti në këtë deklaratë para mediave tha se këto akuza nuk janë për BE-në si institucion, por për emisarin Lajçak.

“Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të BE-së me Serbinë, por emisari special i BE-së ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë, sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë e shpërfillen propozimet tona”, u shpreh kryeministri.

Ai tha më tej Serbia nuk ka bërë asnjë propozim veç një dokument kushtëzues.
“Ne kemi besuar që kompromiset që i formulonte Lajçaku janë mes dy propozimeve të Kosovës dhe Serbisë por po del që kanë qenë vetëm deformim të propozimeve tona. Paradoksalisht Serbia e ka bërë përfaqësues Lajçakun”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se në këtë rast nuk mund ta barazoj emisarin evropian me Bashkimin Evropian.

“Kjo duhet diskutuar, kjo mënyrë aspak neutrale e ndërmjetësimit. Emisari Lajçak natyrisht që nuk më jep llogari mua si kryeministër por ai duhet t’i japë llogari Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Unë besoj që ajo çfarë kam thënë këto ditë e fundit është më se e mjaftueshme për këtë llogaridhënie të tij atje”, tha i pari i Qeverisë.

Kurti ka folur edhe për masat e BE-së, ndaj Kosovës të cilat ka thënë se nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen bazike.

“Çështja e masave dhe heqjes së tyre ka të bëjë me de-eskalimin në veri të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëveshjen bazike. Masat e i kemi për shkak të përpjekës për destabilizim dhe dhunës së shkaktuar në veri”, tha Kurti.

Kurti ka theksuar se ekziston rruga e qartë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri.

“Ne e kemi bërë rrugën që të ndiqet në mënyrë që të kemi zgjedhje të parakohshme në katër komunat. Shto këtu edhe zvogëlimin e Policisë 2 herë kah 25 për qind, masat s’kanë arsye të jenë”, u shpreh ai.

E lidhur me kritikat ndaj Kurtit, reagim ka ardhur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

Komentet erdhën si përgjigje ndaj një kërkesë të Zërit të Amerikës për një reagim rreth pohimeve të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili akuzoi Lajçakun për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës, në takimin e javës së kaluar mes palëve.

Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore ndërsa akuzoi Lajçak ndër të tjera për “deformim të procesit”.

Në përgjigjen drejtuar Zërit të Amerikës zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi apo mohoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por tha se:

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, raporton Telegrafi.

Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

“Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA-të do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm.

Takimi i 14 shtatorit në Bruksel

E zemërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve me Serbinë është “plotësisht i arsyeshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike.

Hartwell thotë se “është e rëndësishme të sqarohet se Kurti nuk po ia mbyll derën BE-së si institucioni kryesor lehtësues” i bisedimeve.

“Zemërimi i tij përqendrohet kryesisht në performancën e Josep Borrellit dhe të Mirosllav Lajçakut – dy zyrtarëve më të shquar evropianë, të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Përveç trajtimit pa kujdes të dialogut dhe qasjes së tyre të pabarabartë, vlen të theksohet se Borrell dhe Lajçak vijnë nga Spanja dhe Sllovakia, dy vende që nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”, thotë Hartwell.


Related Articles