Kritikohet ministri Murati për përplasjen verbale me Presidenten Osmani

Kritikohet ministri Murati për përplasjen verbale me Presidenten Osmani

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë janë përplasur në rrjete sociale, pas njoftimit të presidentes Vjosa Osmani se ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar ashpër Ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke theksuar se “Murati s’është askund afër dikujt që kupton dhe mbron interesat shtetërore madhore”.

“Kur marrëdhëniet ndërkombëtare, e sidomos raportet me SHBA-të, i sheh thjesht si një tabelë Excel-i me qarkullim dhe vëllim tregtar – mbase edhe je financier apo ekonomist fantastik – por nuk je askund afër dikujt që kupton dhe mbron interesa shtetërore madhore. E aq më pak një ministër (financash) që flet në emër të shtetit”, theksoi Cakolli.

Edhe Albert Krasniqi nga “Demokracia +” e ka komentuar debatin Qeveri – Presidencë për tarifën e vendosur nga Donald Trump.

Krasniqi ka shkruar se kjo polemikë tregon se përse nuk po merremi seriozisht në arenën ndërkombëtare.

“Tarifat e SHBA-së kanë shkaktuar tensione dhe luftë tregtare në mbarë botën, duke shqetësuar liderët e vendeve të prekura, të cilët përballen me pasojat ekonomike dhe diplomatike. Ndërsa shumë qeveri po kërkojnë zgjidhje dhe strategji për t’u përshtatur me këto masa, tek ne duket se shqetësimi kryesor është ruajtja e rehatisë pas orarit të punës”.

“Debati mes Presidentes dhe Ministrit të Financave, i karakterizuar nga mungesa e koordinimit dhe komunikimit institucional, tregon qartë pse shteti ynë nuk merret më seriozisht në arenën ndërkombëtare. Në vend të një politike të jashtme të qartë dhe të konsoliduar, shohim një qasje të çakorduar, të diktuar nga protagonizmi dhe nevoja për vëmendje”, theksoi ai.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Kjo kërkesë, sipas Osmanit, u bë për të dërguar mesazhin se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.

“Jam e bindur se ky veprim do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen afatgjatë ekonomike”, ka shkruar tutje Osmani në platformën “X”.

Sipas saj, më shumë se veprim ekonomik, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar angazhimin e qëndrueshëm për aleancën Kosovë-SHBA, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe mbështetjes që vazhdon prej dekadash.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se ato do të hyjnë në fuqi në mesnatë (nga e enjtja).

Duke paraqitur një grafikë gjatë konferencës ai ka theksuar se Kina “ngarkon” Shtetet e Bashkuara me një tarifë prej 67%, kështu që Shtetet e Bashkuara do të ngarkojnë Kinën me një tarifë prej 34%.


Related Articles