Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen sot në Bruksel.
Takimi mes Kurtit e Vuçiqit do të ndërmjetësohet nga Josep Borrell, i cili dje tha se ka nevojë për de-përshkallëzim.
Se do të ketë një takim trilateral njoftoi dje Bashkimi Evropian.
“Përfaqësuesi i Lartë do të nisë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, thuhet në njoftimin e BE-së. Unioni kërkon veçanërisht zgjidhje për çështjen e targave dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Thirrje për arritjen e marrëveshjes është bërë edhe nga SHBA.
“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës, vënë në rrezik të panevojshëm jetën e personave të pafajshëm dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Sipas vendimit të Qeverisë për targat, që nga sot ka qenë e paraparë që të nisë faza e gjobitjes, mirëpo dje Policia e Kosovës njoftoi se shqiptimi i gjobave do të nisë që prej nesër (22 nëntor)
Sipas Policisë, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh do të zgjasë deri më 21 janar 2023. Deri sot janë shqiptuar 1,740 qortime për shoferët që refuzuan t’i ndërronin targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia.