KRU ”Prishtina’’ për Gazetën Enigma: Uji që shpërndahet te konsumatorët është i sigurt për pije

KRU ”Prishtina’’ për Gazetën Enigma: Uji që shpërndahet te konsumatorët është i sigurt për pije

Duke pasur parasysh rastet e fundit të helmimit nga uji në Han të Elezit, shtrohet pyetja se sa është i sigurt uji për pije në të gjithë rajonin e Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.

Një vëllim i madh i punës dhe një kontroll ditore bazike dhe periodike, bën që uji i pijshëm të jetë i sigurt 100 për qind.

Kështu bëri të ditur për Gazetën Enigma, kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa. Xhafa tutje ka theksuar se qëllimi kryesor i tyre është organizimi dhe funksionimi i tij si departament për kontrollin e kualitetit të ujit, bazuar në Standardet cilësore aplikative dhe ato Evropiane.

‘’Qëllimi kryesor i Departamentit të Cilësisë dhe Burimeve  së  Ujit të pijshëm  në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit,, Prishtina,, sh.a. është organizimi dhe funksionimi i tij si departament për kontrollin e kualitetit të ujit, bazuar në Standardet cilësore aplikative ( U.A.10/2021 ) dhe ato Evropiane (Udhëzimi –Direktiva 98/83/EC) mbi kualitetin e ujit për përdorim nga njerëzit’’, tha Xhafa.

Sipas tij ‘’kjo direktivë përcakton dallimet në mes të parametrave mikrobiologjik dhe atyre fiziko- kimik. Aplikimi i standardeve është në interes të të gjithë konsumatorëve të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Graçanicës dhe Fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj’’.

Xhafa për Enigmën tha se laboratorët tanë shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE.

‘’Departamenti i cilësisë së ujit me planin e tij të monitorimit të brendshëm, ka në procedurë pikë së pari mbledhjen dhe marrjen e mostrave të ujit të përpunuar nga rrjeti i ujësjellësit, aeratorëve, liqeneve, puseve dhe lumenjve’’, ka deklaruar ai.

‘’Laboratorët tanë shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE, sipas procedurës të cilat janë dhënë me Direktivën 98 (93) EC. Sipas  planit ditor, javor dhe mujor  për monitorimin  e brendshëm të kualitetit të ujit në KRU ”Prishtina” sh.a, të burimeve sipërfaqësore Albanik, Badoc, Bivolak, Mihaliq (Kanali Ibër-Lepencit) si dhe burimeve nëntokësore Kroni, Obiliq, Shtime, Lipjan, Peran (Podujevë), Miradi , Graqanicë dhe Vragoli si dhe pesëmbëdhjete pikat në rrjetin e qytetit, në aplikim të monitorimit të shpejtë bazik dhe vijues  përcjellim kualitetin e ujit të pijshëm në çdo pikë mostrimi’’, tha Xhafa për Gazetën Enigma.

Cila është cilësia e ujit, kontrollet dhe analizat me çfarë metoda kryhen?

‘’Cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Pjesën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr.10/2021 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu’’, tha ai.

Xhafa: Një vëllim kaq i madh i punës dhe një kontroll ditore bazike dhe periodike, bën që uji i pijshëm të jetë i sigurt 100%.

Tutje ai ka shtuar se ‘’me monitoring të shpejtë, bazik dhe vijues çdo ditë do te bëhet  mostrimi dhe analiza e ujit që prodhohet dhe distribuohet  nga fabrikat e ujit në Albanik ,Badovc dhe Shkabaj (Ibër-Lepenc) nga objektet prodhuese  Kastriot dhe Kroni, pastaj monitorimi javor i ujit që prodhohet në objektet prodhuese Shtime, Lipjan ,Drenas dhe Podujevë si dhe analiza e ujit në tre rezervuarët në qytet’’.

Xhafa: Uji që shpërndahet te konsumatorët është i sigurt për pije

Tutje Xhafa ka shtuar se KRU ”Prishtina’’ nuk garanton për cilësinë e rezervuarve private.

‘’Derisa ne nuk garantojmë për cilësinë e ujit nëpër rezervuare private/individuale’’, tha ai.

Sipas tij gjendja aktuale në Liqenet akumuluese Batllava dhe Badovci janë nën nivelin maksimal.

‘’Ju njoftojmë me gjendjen e nivelit të ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava dhe Badoci. Badoci (- 8.05 m) nën nivelin maksimal të kapërderdhjes, ndërsa Batllava ( -1.70) nën nivelin maksimal të kapërderdhjes’’, ka theksuar ai.

Tutje Xhafa bënë thirrje që të shpenzoni racionalisht ujin e pijshëm.

Kujtojmë se ditë më parë në Han të Elezit ka pasur mbi 200 qytetarë të helmuar nga uji. /Gazeta Enigma/

Related Articles