Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, do nis sot vizitën e saj zyrtare në Kosovë.
Fajon ka arritur mbrëmë në Prishtinë, ndërkaq sot do të nis takimet me krerët e shtetit.
Ajo fillimisht do të ketë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon”, ka njoftuar zyra e Presidentes.
Pas takimit me Osmanin, kryediplomatja sllovene do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon. Takimi mbahet në orën 13:40”, thuhej në njoftim.
Kryediplomatja sllovene Tanja Fajon, javë më parë ka deklaruar se Sllovenia është avokate e fortë e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.
Sipas saj, Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin e saj dhe të tregojë se Ballkani Perëndimor ka një shans realist për të avancuar në rrugën për BE.