Gjatë mandateve qeverisëse të dy kryeministrave shqiptar, Edi Rama, dhe homologut të tij nga Kosova, Albin Kurti, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë formalisht të mira, mirëpo ato në nivelin personal, gjithmonë kanë shpërfaqur inate mes njëri-tjetrit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ka dy vite që qeveritë e dy vendeve nuk kanë pasur mbledhje të përbashkët, mirëpo takimet e mëhershme, kanë lënë vend për tu nënkuptuar se bashkëpunimi në fusha të ndryshme mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mungon.
E mospajtimet mes Kurtit dhe Ramës, janë vërejtur gjithmonë.
Një tjetër shkëndijë e të mos pasurit raporte të mira, ka bërë dritë shkaku i protestës pro ish-krerëve të UÇK-së që do të mbahet në Tiranë.
Lëvizja Vetëvendosje,e cila në krye e ka kryeministrin Albin Kurti, përmes një reagimi në Facebook, ka akuzuar kryeministrin shqiptar Edi Rama se ka lobuar për të themeluar Gjykatën Speciale, këtë të cilën LVV ka qenë kategorikisht kundër themelimit të saj qysh në ditët e para, kur diskutohej për të në Kuvend.
“Për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhej mes tjerash në reagimin e LVV-së.
Pas kësaj, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit shqiptar.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”, tha Rama të enjten. “Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”. Ai po ashtu shtoi se “unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj” ka thënë Rama në reagim.
Tension apo thjeshtë polemikë?
Analisti Mazllum Bajraliu, tha për Gazetën “Enigma” se nuk ka ndonjë tension mes dy kryeministrave shqiptar, por thjeshtë një mospërputhje mes koncepteve që i kanë mes vete.
“Mendoj se janë mospërputhje të koncepteve që i kanë mes vete, e nuk është ndonjë përplasje mes këtyre dyve. Faktikisht të dytëjanë social-demokrat por kanë pikëpamje të ndryshme dhe interesa të ndryshme, ai po i mbron interesat e Shqipërisë, ky po i mbron interesat e Kosovës. Për disa çështje tona, Edi Rama ka pasur pikëpamjet e veta dhe ajo është çështje e tij, ai ka njëvizion gjoja tjetër fare pro-europian, dhe disa deklarime dhe disa projekte që ka pasë ai janë diçka tjetër”, tha ai.
Ai tha se marrëdhëniet mes dy shteteve kanë qenë të mira gjatë qeverisjes së Rames dhe Kurtit.
“Marrëdhëniet janë zhvilluar normalisht mes dy shteteve, ka marrëveshje që janë nënshkruar, ka prej tyre që janë zbatuar gjatë mandatit të të dyve dhe nuk ka, mendoj unë, diçka që është për tu brengosur”, shtoi ai.
Bajraliu tha se nuk ka tendencë për të bërë fushatë kundër një qeverie apo tjetrës përmes kësaj proteste.
“Absolutisht jo. Unë mendoj se kjo është vetëm një shenjë solidariteti, ku shkojnë njerëz të vullnetit të mirë, për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së dhe Kosovës përgjithësisht me luftën që ka bërë dhe padrejtsinë që po i bëhet në gjykimin e ish-krerëve të luftës”, përfundoi Bajraliu.
Analisti Shkëlzen Maliqi tha se kohëve të fundit raportet mes dy shteteve kanë qenë të qeta dhe nuk ka pasur acarime pos në nivel personal mes Ramës edhe Kurtit.
“Marrëdhëniet në kohët e fundit kanë qenë relativisht të qeta, edhe pse i kemi kapërcyer 1 po 2 takime mes dy qeverive. Nuk ka pasur acarime pos në nivel personal mes Ramës dhe Kurtit. E tash janë ashpërsu pak rreth protestës pro ish-krerëvë që do tëmbahet në Tiranë. Pak më e madhë është nervoza në Kosovë, shkaku i zgjedhjeve. Unë mendoj se kjo nuk është mirë”, tha ai.
Sipas tij, dy liderët shqipëtar kanë koncepte të ndryshme, por kjo lloj mosmarëveshje nuk është e dobishme. “Sidomos ambicia e Albin Kurti për të pasur ndikim në shtetet fqinje. Në formën si po deklarohen, ka tendencë qënjëra pale e do primatin, por nuk duhet njëra anë ta ketëprimatin, por duhet që së bashku të zhvillojnë shtetet. Por momentin rruga drejt Bashkimit Evropian, është e vetmja rrugëqë na bashkon”, tha Maliqi. / Gazeta Enigma/