Fuqizimi i grave në biznes e zhvillon ekonominë në përgjithësi. Kështu mendon kryeministri Albin Kurti, që pohoi se vajzat kanë dëshmuar të jenë protagoniste si ndërmarrëse e punëtore, andaj mbështetja është e obligueshme.
Këto u thanë në ceremoninë “Java e Pronësisë Industriale dhe Inovacionit”, që u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Sipas Rozeta Hajdarit që udhëheq me këtë dikaster, më 11 maj në Bruksel do të nënshkruhet një ujdi e rëndësishme për bizneset e vogla e të mesme.
“Për marrëveshjen e pjesëmarrjes në programin tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian me gjithsej vlerë 4.2 miliardë euro, si një mundësi të shkëlqyeshme që bizneset e inovatorëve të jenë përfitues për përmirësimin e konkurrueshmërisë”, tha ajo.
Këtu u potencua se po nderohet edhe puna e grave të profileve të ndryshme përfshirë shkrimtaret, regjisoret, filmbërëset e sipërmarrëset.
“Kemi përfunduar një proces shumë të rëndësishëm të reformimit të kornizës ligjore dhe rregullative në fushën e të drejtave të autorit për shkak të trendëve të reja dhe dinamikës që ndodh në sferën legjislative evropiane përkitazi me të drejtën e autorit”, u shpreh Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
E njëjta tregoi se projektligji për të drejtat e autorit është miratuar nga Qeveria dhe shumë shpejt pritet të kalojë edhe në Kuvend.