Kryeministri Kurti: Le të jemi bashkë kundër padrejtësive

Kryeministri Kurti: Le të jemi bashkë kundër padrejtësive

Qeveria e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht. Andaj, promovimin, respektimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut e kemi parasysh në punën tonë për çdo ditë, e në çdo vendim të cilin e sjellim, deklaroi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e hapjes së Javës së të Drejtave të Njeriut.

Duke qenë në 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, kryeministri Kurti bëri thirrje për më shumë punë e angazhim, për një ndër qëllimet e përbashkëta, parandalimin dhe luftimin e dhunës në baza gjinore. “Duhet të bëhemi bashkë, edhe gratë me solidaritet gjinor, edhe burrat, emancipimi i të cilëve është edhe më i nevojshëm sesa i grave. Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe i çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona”, tha kryeministri në aktivitetin e organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë – YIHR.

Për barazi, për më shumë mundësi për të gjithë, e për të mos e lënë askënd prapa, kryeministri Kurti tha se Vitin 2022 e kemi shpallur vit të personave me aftësi të kufizuar. Ndonëse është një angazhim yni i përditshëm e i përhershëm, gjatë këtij viti kemi punuar më shumë, e më mirë, bashkërisht. Kështu do të vazhdojmë edhe vitin tjetër, e çdo ditë tjetër. T’i ndihmojmë më së pari e më së shumti ata që kanë më së shumti nevojë.​

Më tej, ai tha se si Qeveri e Kosovës, kemi projekte e plane konkrete të investimit në ekonomi dhe në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë, e në veçanti për grupet më të cenueshme të shoqërisë sonë.

Duke potencuar se Qeveria ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në dritë të luftimit të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, kryeministri Kurti kujtoi se në këtë drejtim janë angazhuar duke: hartuar dhe miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimin dhe miratimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunimeve Seksuale; funksionalizimin dhe takimet e rregullta të grupit ndërministror; plotësim ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas: viktimave të dhunës i ofrohet ndihma juridike falas pavarësisht gjendjes socio-ekonomike; plotësim ndryshimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit: pra, eliminimi i procedurave burokratike për kompensim të viktimave (nga janari deri tani janë kompensuar); ofrimin e ekspertizës Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimin e Kurikulës për profesionistët për programet e trajtimit të kryerësve të veprës së dhunës në familje; plotësim ndryshimin e Kodit Penal dhe Procedurës Penale, me qëllim të dënimeve plotësuese për personat të cilët shpallen fajtor për dhunë në familje dhe seksuale, si dhe publikimin e emrave të dhunuesve, e caktimin e paraburgimit ndaj personave të dyshuar.

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Faleminderit Adelina,
Faleminderit Marigona Shabiu, Drejtore Ekzekutive e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut,

I nderuari Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë,

I nderuari Naim Qelaj, Avokat i Popullit,

I nderuari Afrim Maliqi, Drejtor i HANDIKOS-it  

E nderuara znj.Luljeta Demolli, Drejtore e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore,

E nderuara Samire Kika, nga Policia e Kosovës,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, ambasador i Francës z.Olivier Guerot,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, e të shoqërisë civile,
Të nderuara aktiviste e aktivistë të të drejtave të njeriut,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Unë ju kërkoj falje që u vonova sepse isha në mëngjes në takim me monsinjor Vincenzo Paglia nga Shën Egjidio i Vatikanit, e pastaj në konferencën e 7- të Mjedrës, dhe njësoj më duhet t’ju kërkoj falje që më duhet të shkoj pas kësaj fjalës sime.

Për të arritur progres shoqëror, është i domosdoshëm progresi i vazhdueshëm i të gjithë qytetarëve, duke ua hapur rrugën pa dallim, rrugët që janë rrugë të lirive e të  mundësive.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht. Andaj, promovimin, respektimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut e kemi parasysh në punën tonë për çdo ditë, e në çdo vendim të cilin e sjellim.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Duke qenë në 16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, bëj thirrje për më shumë punë e angazhim, për një ndër qëllimet tona të përbashkëta, parandalimin dhe luftimin e dhunës në baza gjinore. Duhet të bëhemi bashkë, edhe gratë me solidaritet gjinor, edhe burrat, emancipimi i të cilëve është edhe më i nevojshëm sesa i grave. Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe i çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona.

Ndryshimi që ne duam kërkon edhe përgjegjësi më të madhe institucionale edhe vetëdije më të lartë shoqërore.

Qeveria jonë ka treguar përkushtim serioz dhe veprime konkrete në dritë të luftimit të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore, e këtë duke kuptuar pasojat fatkeqe të këtyre dukurive të vazhdueshme në shoqërinë tonë.

Në këtë drejtim, jemi angazhuar duke hartuar dhe miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimin dhe miratimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunimeve Seksuale; funksionalizimin dhe takimet e rregullta të grupit ndërministror; plotësim ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas: viktimave të dhunës i ofrohet ndihma juridike falas pavarësisht gjendjes socio-ekonomike; plotësim ndryshimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit: pra, eliminimi i procedurave burokratike për kompensim të viktimave (nga janari deri tani janë bërë këto kompensime); ofrimin e ekspertizës Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimin e Kurikulës për profesionistët për programet e trajtimit të kryerësve të veprës së dhunës në familje; plotësim ndryshimi i Kodit Penal dhe Procedurës Penale, me qëllim të dënimeve plotësuese për personat të cilët shpallen fajtor për dhunë në familje dhe seksuale, si dhe publikimin e emrave të dhunuesve, e caktimin e paraburgimit ndaj personave të dyshuar.

Pra, gjithashtu kemi ndërmarrë edhe hapa për të rritur dialogun me komunitetet joshumicë, në mënyrë që t’i integrojmë ata si qytetarë pjesëmarrës të plotë dhe të barabartë të vendit tonë. Të drejtat e pakicave tona janë të mbrojtura dhe do të vazhdojnë të jenë.  Sundimi i ligjit, mundësitë ekonomike dhe drejtësia sociale do t’i bashkojnë të gjithë qytetarët dhe komunitetet në një shoqëri gjithëpërfshirëse, pavarësisht dallimeve që ata mund t’i kenë. Dhe kur them pakica nuk mendoj vetëm pakica etnike apo fetare po mendoj edhe në pakica seksuale dhe në këtë aspekt ne me të drejtat e njeriut si pikënisje, jo thjesht destinim që arrijmë diku i konsiderojmë që të gjithë të barabartë, përfshirë edhe personat e komunitetit LGBTI plus për ata që ndihen ekstra.

Për barazi, për më shumë mundësi për të gjithë, e për të mos e lënë askënd prapa, vitin 2022 e kemi shpallur vit të personave me aftësi të kufizuara. Shpeshherë i quajmë me nevoja të veçanta, mbase edhe për shkak se nuk di dikënd që i ka aftësitë e pakufizuara. Ndonëse është një angazhim yni i përditshëm, i përhershëm, gjatë këtij viti kemi punuar më shumë, e më mirë, e bashkërisht krahasuar me vitet tjera. Kështu do të vazhdojmë edhe vitin tjetër, e për çdo ditë viteve në vijim. T’i ndihmojmë më së pari e më së shumti ata që i kanë nevojat më të mëdha, sepse aty duhet të dëshmohemi.

Si Qeveri e Kosovës, kemi projekte e plane konkrete të investimit në ekonomi dhe në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë, e në veçanti për grupet më të cenueshme të shoqërisë sonë.

Pra vetëm sa e kemi filluar një betejë në mënyrën më të sinqertë e serioze dhe nuk do ta ndalim këtë betejë të përbashkët, sepse siç është slogani kundër dhunës në familje, kundër dhunës në bazë gjinore “As edhe një më shumë”.


Të nderuar të pranishëm,

Që të kemi demokraci të shëndetshme është e nevojshme barazia për të gjithë. Nuk mund të ketë demokraci pa të drejta të njeriut dhe pa pluralizëm.

Ka disa shtete, ka disa qeveri, ka disa presidentë të cilët po duan të na e dëshmojnë në shekullin 21 se na qenka e mundur demokracia pa të drejta të njeriut dhe pa pluralizëm politik. Unë nuk besoj në këtë, nuk është e mundshme demokracia pa të drejta të njeriut dhe pa pluralizëm politik. Madje atëherë kur demokracia rrezikohet mbase nuk mund ta mbrosh në mënyrë të drejtpërdrejtë, por pikërisht duke investuar në të drejtat e njeriut dhe në pluralizmin politik e sidomos te të drejtat e njeriut sepse nëpërmjet të të drejtave të njeriut konceptualisht bëhen bashkë universaliteti dhe barazia. Ajo që kemi të përbashkët që vihet në spikamë, pra universaliteti dhe barazia.

Por pavarësisht se si jemi e kush jemi e ku jemi, jemi të barabartë. Unë u shpreh mirënjohjen partnerëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile e aktivistëve të të drejtave të njeriut për punën dhe angazhimin  e përbashkët. Besoj që në këtë sallë ka fuqi të madhe madje do të thosha të mjaftueshme që e siguron ndryshimin duke shtuar edhe më tej përpjekjet e përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme gjithëpërfshirëse me mundësi më të mëdha për secilën e secilin e me mundësi të barabarta për të gjithë pa dallim në një shoqëri që është e drejtë, përparimtare dhe përparuese.

Si përfaqësues të organizatave të ndryshme që në të njëjtën kohë udhëhiqni edhe në anëtarësi dhe keni mbështetje e simpati, e empati e solidaritet edhe më shumë se sa që mendoni, unë jam i bindur që suksesi nuk do të mungojë dhe do të jetë më i afërt se sa imagjinohet, veçse le të jemi bashkë kundër padrejtësive.

Related Articles