Si të fortë, të gjerë dhe të thellë, e ka konsideruar Kryeministri Kurti marrëdhënen e Kosovës me Tuqinë.
Këto deklarime ai i ka bërë gjatë qëndrimit të tij në këtë shtet, gjatë një takimi me komunitetin e mërgatës “Qendra Kulturore në Zeytinburnu/Zeytinburnu Kültür Merkezi”.
“Ne dëshirojmë, që marrëdhëniet e shkëlqyera që i kemi me Republikën e Turqisë, t’i avancojmë edhe më tej në bashkëpunim sidomos në dy fusha: në ekonomi e tregti në njërën anë dhe në mbrojtje e siguri në anën tjetër”, shtoi më tej kryeministri Kurti.
Duke i njoftuar për progresin e Kosovës deri më tani, kryeministri tha se katër fusha ku i kemi bërë investimet më të mëdha janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi edhe shëndetësia. Në aspektin e sigurisë ai përmendi ushtarët dhe oficerët e ushtrisë sonë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve janë në Republikën e Turqisë duke u trajnuar në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës së Kosovës.
Kurti tutje u shpreh se mërgata është një urë e shkëlqyeshme për bashkëpunime shumë të mëdha e të reja midis Kosovës edhe Turqisë, por jo vetëm, po edhe të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës e të Malit të Zi./Gazeta Enigma