Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministren e Shtetit për Evropë dhe Klinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Luhramann.
Kurti dhe Luhrmann ka diskutuar për Tregun e Përbashkët Rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovë.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti priti ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Lührmann
Prishtinë, 22 tetor 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, mirëpritën ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Lührmann.
Në këtë takim, të dytin pas atij në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt të këtij viti, kryeministri Kurti dhe ministrja e Shtetit, Lührmann folën për bashkëpunimin me Gjermaninë në kuadër të agjendës së Republikës së Kosovës për integrim evropian, për Tregun e Përbashkët Rajonal si pjesë e Procesit të Berlinit, aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, energjinë dhe çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës.
Kryeministri Kurti e njoftoi ministren Lührmann për performancën ekonomike dhe demokratike të vendit në 18 muajt e fundit. Ai tha se Investimet e Huaja Direkte dhe eksportet po vazhdojnë trendin pozitiv të rritjes, ndërkaq që raportet ndërkombëtare si ai Transparency International dhe Reporterëve pa Kufi dëshmojnë përmirësimet në treguesit demokratikë dhe janë referencë që imazhi i vendit është shumë më i mirë se ç’ka qenë. Në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan Gjermaninë për ndihmën, mbështetjen dhe qëndrimin tyre se liberalizmin i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të ndodhë dhe pa ndonjë kusht shtesë.
Ata folën edhe për energjinë si çështje me shqetësim për të gjithë kontinentin e Evropës. Krahas planeve afatgjate për tranzicionin e drejt energjetik dhe investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë elektrike, kryeministri Kurti vendosi theksin te rëndësia e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji të dakorduar në Bruksel, ndaj të cilit Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet që u kanë takuar, dhe ballafaqimin me këtë dimër.