Kryeministri Kurti thotë se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale

Kryeministri Kurti thotë se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale në vend, duke thënë se kështu do të përmbushet edhe një tjetër zotim i kësaj Qeverie.

Ai ka thënë se për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash, ndërsa ka deklaruar se me Qeverinë e udhëhequr nga ai, kjo do të ndryshojë.

“Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale. Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pages minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se së shpejti në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.

Pas kësaj procedure, Kurti ka thënë se propozimi do të miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi.

/Gazeta Enigma/

Related Articles