Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës, ku një dhëndër ka vrarë dy vëllezërit e gruas së tij.
Në vendngjarje ndodhen Kryeprokurori dhe prokurori kujdestar, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Gjakovë. Hetuesit po punojnë për të mbledhur të dhëna nga vendi i ngjarjes dhe për të siguruar prova.
Kryeprokurori Enis Gashi ka folur për mediat mbi zhvillimet e fundit.
“Kryesi i kësaj vrasjeje është ende në arrati. Së bashku me policinë jemi duke ndërmarrë të gjitha masat që sa më shpejt të identifikohet dhe të sigurohet prezenca e tij. Ajo që mund të them në këtë moment është se kanë raporte familjare, por motivet ende nuk i dimë saktësisht. Pasi të marrim informata më të sakta, do të dalim me një informacion zyrtar,” – tha Gashi.
Autoritetet kanë nisur një operacion për kapjen e të dyshuarit ku aktualisht, Njësia K9 e Policisë së Kosovës është angazhuar në terren për lokalizimin e të dyshuarit, i cili pas ngjarjes është arratisur.
