Kryeredaktori i gazetës sllovene Ne Cenzurirano, Primoz Cirman që publikoi ‘non-paperin’ për ndryshim kufijsh ka thënë se Brukseli e konfirmoi se e kanë marrë dokumentin e kryeministrit slloven Janez Jansha.
Cirman ka thënë se Brukseli nuk mund ta mohojë se e kanë marrë letrën.
“Kur lajmi shpërtheu të hënën, kolegu ynë nga gazeta “Dela” korrespondent i Brukselit, pyeti zyrën Michael dhe zyra së pari konfirmoi se e kishte marrë dokumentin që flet për shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, por gjysmë orë më vonë e njëjta zyrë thirri e gazetarin e Dela dhe thanë se nuk mund ta mohojnë, por as ta konfirmojnë se e kanë marrë letrën”, tha Primoz Cirman, kryeredaktor në këtë gazetë.
Cirman shprehet i pakënaqur që qeveria sllovene është bërë pjesë e këtij plani.
“Personalisht mendoj se Sllovenia nuk duhet të përfshihet, por frikësohem se tashmë veç është përfshirë dhe pasojat do të mund ti shohim në të ardhmen”, tha ai per Albanian Post.
E gjithë historia e ri-dizajnimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor u rikthye në vëmendje kur disa media rajonale publikuan një letër me pika konkrete për ta realizuar planin e ri-rregullimit territorial.
Dokumenti shpaloste një plan për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Bashkimin e një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhjen e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimin e një shteti funksional boshnjak.
Për dokumentin që gjatë gjithë javës së kaluar u përfol në mediat ballkanike, kanë folur shumica e liderëve rajonal.
Meqë dokumenti ka qenë në formë jo zyrtare, prononcimet e tyre kanë ardhur të rezervuara dhe një pjesë kanë shfaqur mosbesim.
Në Kosovë nuk janë prononcuar as kryeministri Albin Kurti dhe as presidentja Vjosa Osmani.