Kryeshefi i KEK: Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, KEK do të prodhojë energji edhe nesër

Kryeshefi i KEK: Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, KEK do të prodhojë energji edhe nesër

Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, ka folur në lidhje me gjendjen aktuale të njësive prodhuese të kësaj korporate.

Hashani tha se do të merren me problemet teknike që kanë rezultuar dhe se janë krijuar komisionet, ku sipas tij, nëse bëhet fjalë për neglizhencë, do të merren masa.

“Sot 75 për qind të konsumit e ka mbuluar KEK-u. Maksimumi i konsumit sot ka qenë 500 megavat. Nesër do të jetë konsumi më i vogël sepse është vikend. KEDS-i dhe KESCO janë të obliguar ligjërisht të importojnë energji për qytetarët e Kosovës”.

“Ne vetëm prodhojmë energjinë elektrike dhe e deklarojmë një ditë përpara. Është korrigjuar njoftimi, sepse ne sot prodhojmë 110 megavat nga njësia A3. Nuk ka pasur asnjë moment kur ka pasur zero prodhim në KEK”, tha ai.

Tutje, ai tha se problemet janë të natyrshme për shkak të vjetërsisë së blloqeve, ku aktualisht, siç tha ai, vetëm blloku B1 është pa probleme.

“Është e natyrshme, është vjetërsia në pyetje. ‘Kosova A’ i ka 60 vite, ‘Kosova B’ 40 vite. ‘Kosova B’ është në proces të modernizimit. ‘Kosova A’, e kemi njësinë A3 që e kemi hapur tenderin 137 milionë euro për modernizim dhe rehabilitim”, tha ai.

Në deklarimin e tij ai ka thënë edhe se ata nuk merren me deklaratat që janë bërë sot rreth kolapsit energjetik.

Po ashtu, tutje ai ka thënë edhe KEK do të prodhojë edhe nesër energji elektrike dhe se energjia nuk do të ‘‘importohet energjia nesër 100%’’.

‘‘Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, ta kenë këtë të qartë. Ne e kemi deklaruar në mëngjes sot, kapacitetet të prodhimit të cilat i kemi planifikuar për nesër. Ka pasur një pasiguri nga ekipi i termocentralit Kosova A për të deklaruar atë kapacitet për nesër, kjo është keqkuptuar dhe është dhënë deklarata të ndryshme, që ne nuk merremi me to që KEK për herë të parë pas 25 viteve nuk prodhon as një megavat brenda ditës. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi angazhuar në maksimum, dhe kemi bë atë korrigjim të deklarimit të kapaciteteve që njësia A3 do të prodhojë edhe nesër. Ne nuk merremi me deklaratat e KESCO-s, ne kemi komunikim të vazhdueshëm me ta sepse kemi edhe marrëdhënie kontraktuale, dhe i kemi partnerë strategjik. Ne do të prodhojmë energji elektrike nesër, nuk importohet energjia nesër 100%’’, ka thënë ai.

Related Articles