Kryesuesi i bordit të shkarkuar të AKP-së: Nuk jemi hajna, s’kemi pasur asnjë skandal

Kryesuesi i bordit të shkarkuar të AKP-së: Nuk jemi hajna, s’kemi pasur asnjë skandal

Kryesuesi i bordit tashmë të shkarkuar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Bajram Zejnullahu, tha se gjatë periudhës sa ai ka udhëhequr bordin e kësaj agjencie, nuk ka pasur asnjë skandal që të etiketohen si ‘hajna’, ashtu siç i quajti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.



“Nuk kam koment, as unë e as familja ime nuk jemi etiketuar si hajna. Nuk di a ka argumente që na argumenton ai (kryeministri Kurti) si hajna. Për sa vite jam aty, nuk kemi pasur asnjë skandal të vetmit. Unë e kuptoj shumë mirë, politikisht të shkarkon dhe jemi në rregull. Por, në këtë formë me etiketime, nuk e kuptoj”, tha Zejnullahu për REL.

Zejnullahu ka qenë në krye të bordit të AKP-së nga viti 2019 dhe kishte një mandat katërvjeçar.

Kuvendi i Kosovës, me rekomandimin e Komisioni parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti më 27 maj e shkarkoi bordin e AKP-së.

Ky Komision, po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të propozojë përbërjen e re të bordit të AKP-së.

Kjo çështje u fut ne rend të ditës me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas kësaj partie, AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur performacë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën parlamentare tha se që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme të shkarkohet bordi.

“Se kanë vjedhur shumë, por ne nuk i lëmë të vjedhin më, kanë vjedhur me paga, kanë vjedhur në privatizim, janë paguar të vjedhin”, ka thënë Kurti.

Related Articles