Kryetarët shqiptarë marrin pushtetin lokal në Veri, Simiq kërkon nga Kurti ndaljen e ‘represionit’ ndaj serbëve

Kryetarët shqiptarë marrin pushtetin lokal në Veri, Simiq kërkon nga Kurti ndaljen e ‘represionit’ ndaj serbëve

Katër komunat në veri të vendit janë vendosur nën pushtetin e udhëheqësve shqiptarë. Në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, kryetarët e rinj u betuan të enjten, kurse në Mitrovicë të Veriut, ceremonia e betimit u mbajt javën e kaluar.

Të katër kryetarët janë zotuar se do të punojnë në të mirë të të gjithë qytetarëve, edhe pse popullata shumicë serbe nuk i njeh ata.

Nën dirigjimin e Beogradit zyrtar, ajo i ka bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre – që të gjithë nga Lista Serbe – kanë dhënë dorëheqje.

Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga Beogradi zyrtar, por ka theksuar se Qeveria e tij synon t’i funksionalizojë institucionet, në mënyrë që të garantohen shërbime publike për të gjithë qytetarët.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të ndaluar, siç ka thënë, “represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”

Edhe pse nuk ka sjellë ndonjë provë për këto pretendime, ai ka thënë se, në të kundërtën, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor” me “të gjitha mjetet”.

Reagimet nga Beogradi

Nga Beogradi zyrtar ka pasur, po ashtu, reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo është përpjekje për “presion mbi serbët” që “të largohen nga shtëpitë e tyre”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur
“pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre, “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan ta dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

As Vuçiq, as Petkoviq nuk kanë ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre.

Çfarë ka thënë komuniteti ndërkombëtar?

Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme për komunat e përfshira, për shkak të bojkotimit nga komuniteti serb.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.

Related Articles