Kryetari i Dardanëve: T’i japim fund problemeve mes tifozëve për hir të vendit

Kryetari i Dardanëve: T’i japim fund problemeve mes tifozëve për hir të vendit

Kryetari i tifozëve të Dardanëve, Lulzim Berisha ka bërë thirrje që problemet mes tifozerive në Kosovë të ndalen për hir të atdheut dhe situatës aktuale.

Pas incidenteve të djeshme në Prishtinë mes “Plisave” dhe “Torcidave”, Lul Berisha reagoi duke theksuar se duhet të lihen anash të gjitha problemet – sepse në këtë kohë nuk ka vend huliganizmi.

Ai poashtu theksoi se është i gatshëm të ftoj në takim të gjitha tifozeritë për këtë çështje.

Ja statusi i tij në rrjetin social, Facebook:

“Për Kosovën. Për atdheun!
Kosova po kalon në ditët e saj me plot të panjohura sa i përket zhvillimet të fundit në veri të territorit tonë. Këto ditë në vend se të na gjenin të bashkuar drejt një qëllimi të përbashkët, na gjejnë të ndarë, inatosur, përçarë e tensionuar.
Sporti duhet t’i shërbejë frymës paqësore, por edhe një vetëdije shoqërore e shtetërore. Motrat dhe vëllezërit tanë, respektivisht policët, që gjenden në detyrë duke qëndruar në veri për të mbajtur rend dhe siguri, meritojnë mbështetje edhe njerëzore.

Nuk mund të jetë mbështetje dhe solidarizim me ta nëse ua sulmojmë kolegët e tyre në aktivitetet sportive. Si komunitet i sportit nuk mund të ndihemi mirë nëse në këto ngjarje përsëritën dhe bëhen të zakonshme.
Edhe në nderim të Kosovë, atdheut dhe tërë kontributit të atyre që dhanë gjithçka që ne të jemi zotët e vetës në tokën tonë përballë armikut shekullor – duhet të gjejmë një zgjidhje mes nesh.
Zgjidhja do të ishte pushimi i të gjitha përplasjeve që ekzistojnë në tifozëritë e ndryshme, pa e përjashtuar asnjërën dhe pa ia bërë gjyqin moral askujt.
Huliganizmi nuk ka vend në këto kohë kur të gjithë jemi me sy drejt asaj se çfarë do të ndodhë me një pjesë të vendit tonë, atje ku kemi shumë shqiptarë që po u rrezikohet jeta nga strukturat paralele kriminale të Serbisë.
Duhet ta ndalim këtë praktikë dhe të përcjellim një frymë mirëbesimi mes vetës. Po të jetë nevoja, ftoj për një takim në fanclub’in e Dardanëve të gjithë krerët e tifogrupeve dhe t’u japim fund një herë e mirë problemeve që ekzistojnë në këtë komunitet. Për hir të vendit dhe të momentumit të sotëm, kjo është e ndershme. Të dalim përtej vetës për nder të një kauze shumë më të madhe seç mund të jetë një e tifozërisë ultras – i shërben dinjitetit tonë.
Këtu ftoj edhe ish-sportistët elitarë të qyteteve të ndryshme, që zëri i tyre u dëgjohet, si dhe ish-themeluesit e vetë tifogrupeve, që janë në moshë më madhore sot dhe mund të kontribuojnë me përvojën e tyre.
Rrugës të gjithë kemi bërë gabime. Edhe unë kam bërë lëshime. Dikush i ka bërë shumë më të mëdha, dikush më të vogla. Çfarë është e rëndësishme tani ka të bëjë që të kemi një përkushtim për të shtyrë përpara këtë agjendë.
Te Dardanët kemi bërë të pamundurën që çdo tifoz të ndihet i njëjtë. Nuk ka favore në bazë të qyteteve nga vijnë anëtarët tonë. Kështu japim edhe gatishmërinë tonë të kontribuojmë në këtë çështje, meqë jemi edhe me shumicën e anëtarëve të tifogrupeve të tjera dhe nuk po ndihemi mirë me këto fenomene”, shkruan ai.

Related Articles